“NATO-n e duam në Kosovë, Kosovën në NATO”. Kështu tha sot kryeminstri Albin Kurti, gjatë një fjalimi në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai tha se Kuvendi i Kosovës me shumicë dërmuese të votave të delegatëve të shteteve anëtarë të NATO-s mori statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
“Fuqizimi i shtetësisë sonë dhe subjektivitetit ndërkombëtar është cak i programit tonë qeveritar, dhe punë e përditshme e diplomacisë sonë. Kemi bërë përparim të rëndësishëm në dy organizata ndërkombëtare. Në Këshillin e Evropës kemi kaluar me sukses fazën e ambasadorëve të Këshillit të Evropës, Komitetit për Çështje Politike dhe Asamblesë Parlamentare të cilat që të gjitha i kanë thënë PO të zëshme, të fuqishme, e bindëse anëtarësimit meritor të Kosovës sonë në organizatën më të vjetër të kontinentit tonë”.
“Vazhdojmë të besojmë që anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për organizatën dhe mekanizëm i duhur për qytetarët tanë. Ndërkaq, në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kuvendi ynë me shumicë dërmuese të votave të delegatëve të shteteve anëtare të NATO-s mori statusin e anëtarit të asociuar. NATO-n e duam në Kosovë. Kosovën e duam në NATO”, ka deklaruar Kurti.