Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kufizimi i orarit për shkak të temperaturave – MSH thotë se janë marrë masa ndaj 28 shkelësve

Kufizimi i orarit për shkak të temperaturave – MSH thotë se janë marrë masa ndaj 28 shkelësve

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se vendimi i marrë dje për kufizim të orarit të punës përgjatë temperaturave të larta për disa kategori po zbatohet.

MSH tha se ka marrë masa ndaj së paku 28 shkelësve, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetarëve që të lajmërojnë shkeljet.

“Vendimi po zbatohet. Ministria e Shëndetësisë njofton se janë marrë masa ndaj së paku 28 shkelësve të vendimit për kufizim të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta. Këto masa janë ndërmarrë në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës dhe organet tjera relevante, me qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve. Ju lutemi, për çdo shkelje që hasni lajmërohuni në numrat e Inspektoratit të Punës ose në faqen zyrtare të Ministrisë. Qytetarë të nderuar, faleminderit për bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm!”, ka shkruar Ministria.

Për shkak të temperaturave të larta këto ditë dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve,  Ministria e Shëndetësisë dje mori vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 për këto kategori:

1. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.

2. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.

3. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.

4. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

5. Varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.

6. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.

 

 

Powered by WordPress