Me kërkesë të SPAK, është sekuestruar inceneratori i Tiranës. Vendimi ka ardhur pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme nga ku ka rezultuar se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Për impiantin e Elbasanit në kërkim ndërkombëtar u shpall nga SPAK dhe ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj, raporton TV Klan.
Zoto dhe Mërtiri nga hetimi kanë rezultuar se janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, thotë SPAK, si dhe janë pronarë të shoqërisë mëmë të saj, themeluar në Holandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.
Për të fshehur gjurmët e tyre si pronarë të vërtetë të kësaj kompanie, SPAK thotë se dy biznesmenët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera.
Po sipas Prokurorisë së Posaçme, Zoto në bashkëpunim me Mërtirin, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, rreth 4 milionë Euro.
“Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij ‘Integrated Energy Services’ sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare ‘Integrated Energy B.V. S.P.V. sh.p.k.’”, thotë SPAK.
Gjithatu, SPAK thotë se përmes një kompanie të tretë, të quajtur “F.M.O.” sh.p.k., Zoto dhe Mërtiri kanë blerë një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 milion euro, në qytetin e Durrësit, gjithashtu e sekuestruar.
Sa i takon kontratës për inceneratorin e Tiranës, SPAK po kryen hetime për disa akuza, nga “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Çka janë inceneratorët?
Inceneratori është një impiant i djegies së mbeturinave. Në hierarkinë e trajtimit të mbeturinave, djegia është hapi i fundit pasi janë shteruar hapat e parandalimit, zvogëlimit, ripërdorimit, riciklimit dhe përdorimit për energji.
Në Shqipëri, afera e inceneratorëve shpërfaq jo vetëm mospërfilljen e hierarkisë së menaxhimit të mbeturinave, por edhe mungesë ligjshmërie në procedurat për ndërtimin dhe më pas administrimin e 3 inceneratorëve në vend.
Deri tani prokuroria e SPAK-ut hetoi disa zyrtarë të lartë të shtetit.