Argjentina do të përballet me Kolumbinë në finalen e Copa America dhe ish-reprezentuesi kolumbian, Adolfo Valencia beson se kombëtarja e tij ka një shans të mirë për të mbajtur nën kontroll Lionel Messin.
Ish-reprezentuesi kolumbian, Valencia, është përkujdesur ta ndez edhe më shumë finalen e Copa America, e cila zhvillohet të dielën pas mesnate.
“Ai nuk është më Messi që ishim mësuar të shihnim te Barcelona, i cili mund të kalonte gjashtë apo shtatë lojtarë. Ai ka humbur shpejtësinë dhe forcën me kalimin e viteve”, ka thënë fillimisht 56-vjeçari për TyC Sports
“Ky është një avantazh që ne duhet të përpiqemi ta shfrytëzojmë. Pa hequr gjithçka që ai ka bërë, Messi tani mund të markohet nga kushdo”, përfundoi kolumbiani.
Njerëzit thoshin të njëjtat gjëra edhe para Kupës së Botës ‘Katar 2022’, por qartësisht e nënvlerësuan rëndësinë e rolit të ri të Messit.
Ai mund të jetë më pak produktiv përpara portës, por mënyra se si ai ‘skanon’ fushën dhe krijon raste për shokët e tij të skuadrës është absolutisht e nivelit të lartë.
Pavarësisht se ka dhënë vetëm një asistim në këtë Copa America deri më tani, Messi ka dhënë 15 pasime kyçe në vetëm katër ndeshje.