Elon Musk të premten pretendoi se Komisioni Evropian i ofroi platformës X një “marrëveshje sekrete të paligjshme” për të censuruar “në heshtje” fjalën e lirë pasi komisioni e akuzoi atë për shkelje të ligjeve digjitale të BE-së.
“Komisioni Evropian i ofroi X-së një marrëveshje sekrete të paligjshme: nëse ne e censuronim fjalën e lirë në heshtje pa i thënë askujt, ata nuk do të na gjobisnin”, shkroi Musk në X.
“Platformat e tjera e pranuan atë marrëveshje. X jo,” tha ai. “Ne presim një betejë shumë publike në gjykatë, në mënyrë që njerëzit e Evropës ta dinë të vërtetën”, shtoi ai.
Deklarata e Muskut erdhi si përgjigje ndaj Komisionit Evropian duke thënë më herët se është në shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) në fusha të lidhura me “modelet e errëta, transparencën e reklamave dhe qasjen e të dhënave për studiuesit”.
Komisioni paralajmëroi se nëse konfirmohen pikëpamjet e tij paraprake, X mund të përballet me gjoba të rënda.
Komisioni Evropian e mohoi me vendosmëri pretendimin e Muskut, ku Komisioneri për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton pohoi se “nuk ka pasur – dhe nuk do të ketë kurrë – ndonjë ‘marrëveshje sekrete’ me askënd”.
“Për të qenë shumë të qartë: është ekipi *JUAJ* që i kërkoi Komisionit të shpjegojë procesin për zgjidhje dhe të sqarojë shqetësimet tona. Ne e bëmë atë në përputhje me procedurat e vendosura rregullatore”, tha ai në përgjigje të Muskut në X.
“Tash ju duhet të vendosni nëse do të angazhoheni apo jo. Kështu funksionojnë procedurat e sundimit të ligjit. Shihemi (në gjykatë ose jo)”, shtoi ai.