Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Pesë ‘betejat’ më të rëndësishme që mund të vendosin fituesin e Euro 2024

Pesë ‘betejat’ më të rëndësishme që mund të vendosin fituesin e Euro 2024

Anglia do ë synojë të bëjë edhe më shumë histori të dielën, kur do të ballafaqohet me Spanjën në finale të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” në qytetin e Berlinit.

Gareth Southgate e udhëhoqi ekipin e tij në dy finale të njëpasnjëshme të Kampionatit Evropian, kjo e para në tokën e huaj.

Spanja ka qenë një prej kombëtareve me futbollin më atraktiv në Gjermani, andaj Anglia duhet të shfaq vendosmëri dhe përkushtim të madh nëse duan të shpallen kampion.

Pesë betejat kyçe në fushë që mund të vendosin fituesin e Euro 2024:

Rodri v Foden & Bellingham

Mesfusha duket se do ta thotë fjalën e fundit në këtë finale, duke marrë parasysh kualitetin e jashtëzakonshëm që posedojnë në këtë repart të dyja ekipet.

Southgate ka gjetur një mënyrë për t’i bërë të luajnë bashkë Phil Foden dhe Jude Bellingham, andaj kjo dyshe mund të jetë çelësi për ta zhbllokuar Spanjën.

Foden ishte fantastik ndaj Holandës dhe ishte i pafat për ta mbyllur atë ndeshje me një gol, ndërsa Bellingham ndonëse ka vuajtur gjatë disa ndeshjeve, ai ka treguar se është në gjendje të prodhojë momente magjie.

Yamal vs Shaw

Para fillimit të kësaj gare, kishte murmuritje për yllin në ardhje në radhët e Barcelonës – 16-vjeçarin Lamine Yamal.

Por në Euro 2024, adoleshenti spanjoll, i cili do të mbush 17 vite një ditë para finales, i ka dëshmuar edhe atyre që nuk e njohën më parë se sa i mirë është. Ai u bë lojtari më i ri në histori që luan në një ndeshje të Kampionatit Evropian (Spanjë – Kroaci).

Nëse Anglia do të ketë një mundësi për të fituar, atëherë duhet të minimizojnë rrezikun që kanoset nga krahët e sulmit të Spanjës.

Southgate e kishte konfirmuar se lënia jashtë e Shaw ishte thjeshtë një masë mbrojtëse, por ylli anglez u duk në formë kur u fut në lojë ndaj Holandës.

Cucurella v Saka

Për të dy, Marc Cucurella dhe Bukayo Saka, Euro 2024 ka qenë një garë në të cilën ata dëshmuan edhe një herë se sa vlejnë.

Cucurella ka startuar në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të Spanjës, duke formuar kështu një partneritet të shkëlqyer me Williams në krahun e majtë.

Saka pasi humbi penalltinë në finale të Euro 2020 ndaj Italisë, gjatë këtij edicioni të Euro-s ka qenë një rrezik konstant për kundërshtarin, duke shënuar një gol të vlefshëm ndaj Zvicrës.

Olmo v Rice

Declan Rice ka luajtur çdo minutë në Euro 2024 për Anglinë dhe ka mbuluar më shumë distancë se sa çdo lojtar tjetër (74.91 km).

Mesfushori i Arsenalit ka pasur më shumë se 300 prekje dhe 236 pasime të kompletuara, më shumë se çdo lojtar tjetër në këtë garë.

Rice do të synojë të dominojë mesin e fushës dhe të parandalojë mesfushorin e Leipzigut, Dani Olmo që të shtojë më shumë nga shifra prej tre golave që ka arritur deri tani.

Williams v Walker

Stili argëtues i Spanjës në këtë garë kryesisht është bërë shkaku i dyshes dinamike të sulmit – Yamal dhe Williams.

Southgate me siguri do t’i besojë Kyle Walker që të parandalojë rrezikun e mundshëm që mund t’i kanoset ‘Tre Luanëve’ nga krahu i majtë.

Walker është njëri ndër mbrojtësit e paktë në Evropë i cili ka dëshmuar se mund të përballet me sulmues këmbëshpejtë, pasi këtë e ka bërë me sukses ndaj Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior.

Powered by WordPress