Napoli nuk ndalet në merkato dhe është gati të bëjë një tjetër goditje të madhe, këtë herë në repartin e sulmit. Media italiane bën me dije se të kaltrit kanë arritur marrëveshjen me Manchester United për të blerë kartonin e sulmuesit të talentuar anglez, Mason Greenwood.
Ky i fundit sezonin e kaluar spikati te Getafe në LaLiga dhe tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve, mes të cilave edhe Marseille e Lazio, por oferta e De Laurentiis prej 30 milionë eurosh ka joshur “djajtë e kuq”, që kanë dhënë miratimin e tyre.
Tashmë pritet që napolitanët të bindin edhe vetë sulmuesin, teksa do të jetë vetë Antonio Conte ai që do të bisedojë me Greenwood, për t’i shpjeguar rolin e tij në projektin e ri dhe për t’i dhënë arsye të transferohet te Napoli.
Sulmuesi 23-vjeçar shihet nga Conte si sulmuesi i dytë ideal për të formuar repartin e avancuar me Osimhen, ose me Lukakun, që mund t’i bashkohet Napolit në rast shitjeje të sulmuesit nigerian.
Ndërkohë, po të premten Napoli ka kompletuar edhe transferimin e mbrojtësit të talentuar italian Alessandro Buongiorno, i cili kreu testet mjekësore dhe pritet të vihet menjëherë në dispozicion të Contes.