Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Shaboviq do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën Verore: Etnia ime s’ka qenë kurrë kaq shumë nën mikroskop

Shaboviq do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën Verore: Etnia ime s’ka qenë kurrë kaq shumë nën mikroskop

Adell Shaboviq është tejet i emocionuar që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore, Parisi 2024.

“Nuk mund të jem më krenar se kaq”, thotë ai, dy javë përpara se të udhëtojë për në Francë.

Megjithatë, shton se kultura dhe përkatësia e tij etnike nuk kanë qenë kurrë kaq shumë “nën mikroskop”.

Adelli, 21 vjeç, është pjesë e ekipit të notit në Universitetin Princeton në ShBA.

Me prejardhje është nga qyteti i Pejës në Kosovë, por i lindur dhe i rritur në Bruklin të Nju Jorkut. Familja e tij jeton prej dekadash në ShBA, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në Olimpiadën Parisi 2024, Adelli do të marrë pjesë në garën stil i lirë prej 100 metrash.

Kjo i është mundësuar me ftesë të World Aquatics – e njohur deri vonë si Federation Internationale de Natation, apo Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit – si atlet i rangut më të lartë të Kosovës në ato që njihen si Universality Places në Parisi 2024.

Ftesa është konfirmuar më pas nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Për Adellin, i cila ka dy shtetësi – edhe të ShBA-së, edhe të Kosovës – ta përfaqësosh Kosovën është një ëndërr e realizuar.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se rrugëtimin për te gara për Kosovën e ka nisur nga “dashuria ndaj babait, familjes së tij të madhe dhe prejardhjes së gjakut të tij”.

Thotë se këtë ka nisur ta ndiejë herët në karrierën e tij të notit, të cilën e ka nisur si 10-vjeçar në një pishinë në Bruklin, ku edhe jetonte.

“Në fillim nuk isha shumë i mirë, por, sigurisht, vazhdoja të provoja dhe vazhdoja të notoja. Dhe, vazhdoja të bëhesha gjithnjë e më i mirë”, thotë Adelli.

Pas disa vitesh punë të madhe dhe not të shpejtë, ai thotë se ka rënë në kontakt me njerëzit e duhur në Kosovë dhe se ka nisur procesin e përfaqësimit të vendit – fillimisht duke u pranuar në Federatën e Notit të Kosovës dhe më vonë duke iu bashkuar klubit vendas, Ilirida, nga Fushë Kosova.

“Sigurisht që ka qenë një udhëtim shumë i gjatë, por jam jashtëzakonisht i emocionuar për kohën që po vjen”, thotë Adelli.

Pse Kosova dhe jo ShBA-ja? Adelli thotë se, thjesht, nuk ndihet njësoj për to.

“Nëse dal mirë në një garë që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, kjo nuk e sjell të njëjtin gëzim. Kur e përfaqësoj Kosovën, të gjithë [në familje] e dinë se çka po ndodh”, thotë ai.

Mbështetja e familjes thotë se ka qenë vendimtare për të. Dhe, kur e mori lajmin…

“… nuk e di nëse e kam parë ndonjëherë babanë tim duke buzëqeshur ashtu siç ka buzëqeshur kur ka mësuar se do ta përfaqësoj vendin”, thotë Adelli.

Powered by WordPress