Drejtuesit e Federatës Amerikane të Futbollit kanë bërë të ditur zyrtarisht se 50-vjeçari Gregg Berhalter nuk është më p♪7rzgjedhës, duke e larguar nga puna.
Ndarja ishte për shkak të paraqitjes së dobët në Kupën e Amerikës, të cilën SHBA është nikoqire.
Kombëtarja e SHBA-së kishte pritshmëri të mëdha nga kjo garë, por rrugëtimi i saj përfundoi në grupe. Fitorja ndaj Bolivisë u pasua me dy humbje, kundër Panamasë dhe Uruguait, dhe skuadra zuri vendin e tretë në renditjen e grupit C.
Berhalter u bë përzgjedhës i SHBA-ve për herë të parë në vitin 2018 dhe drejtoi ekipin kombëtar deri në vitin 2022. Kur SHBA luajti në Kupën e Botës 2022, Berhalter u bë personi i parë në futbollin amerikan që luajti në Kupën e Botës edhe si lojtar edhe si trajner.
Pas kësaj ai për një vit nuk ka kryer detyrën e përzgjedhësit, por drejtuesit e shoqatës lokale e kanë rikthyer vitin e kaluar në postin e përzgjedhësit.
Dështimi në Copa America shënoi largimin e tij të dytë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bashkëorganizojnë Kupën e Botës me Meksikën dhe Kanadanë pas dy vitesh. Amerikanët tani duan të udhëhiqen nga një emër i madh në këtë garë.
Independent shkruan se dëshira e tyre është gjermani legjendar Jurgen Klopp, ish-trajneri i Mainz, Borussia Dortmund dhe Liverpool.
Klopp u largua nga Liverpool këtë verë, ku fitoi gjithçka dhe pranoi hapur se kishte nevojë për një pushim. Megjithatë, puna si përzgjedhës kërkon më pak angazhim të përditshëm, shkruan Independent, duke nënvizuar se do të ishte e vështirë të bindej Klopp.