17:23 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Torres thotë se demokratët do të jenë në telashe nëse Biden zyrtarisht bëhet kandidat për president

Torres thotë se demokratët do të jenë në telashe nëse Biden zyrtarisht bëhet kandidat për president

Kongresisti demokrat, Ritchie Torres, ka shkruar në profilin e tij në “X” për kandidaturën e presidentit aktual Joe Biden dhe për debatin që e ka pasur presidenti amerikan përballë Donald Trump.

Torres ka thënë se arsyetimi se presidenti thjeshtë ka pasur një përformancë te keqe në debat reflekton një vazhdimësi të mohimit dhe vetë-mashtrimit, shkruan Express.

Ai thotë se presidenti Joe Biden nuk pati thjeshtë një “debat të keq” dhe se realiteti që u pa është provë e një sfide më të madhe.

Kongresisti demokrat thotë se qëndrimet se Joe Biden do të shpëtohet nga një intervistë apo një konferencë shtypi, tregon moskuptim të një problematike shumë më të madhe.

Torres thotë se do t’i përcjell me vëmendje konferencën e Biden dhe intervistën që do ta japë të hënën, por thotë se asnjëra s’i ofrojnë shpëtimin politik që duket se po e kërkon.

“Do të dëgjoj me respekt konferencën për shtyp të Presidentit sonte dhe intervistën e së hënës në mbrëmje, por aftësia për t’i mbijetuar një daljeje të vetme publike është minimumi i asaj që duhet të pritet nga një kandidat demokrat. As konferenca për shtyp sonte dhe as intervista e së hënës në mbrëmje në NBC nuk do t’i ofrojnë Presidentit shpëtimin politik që ai duket se po kërkon”, ka shkruar kongresisti amerikan.

Ai në fund ka thënë se nëse Biden vendos të bëhet zyrtarisht kandidat demokrat, s’do të mbetet zgjidhje tjetër përveç se të bëjnë demokratët më të mirën në një situatë të ndërlikuar, dhe sipas Torres s’ka kuptim që të mohohen komplikimet.

“Nëse Presidenti bëhet zyrtarisht kandidati demokrat, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të bëjmë më të mirën nga një situatë e ndërlikuar. Por nuk ka kuptim të mohohen komplikimet”, ka përfunduar ai./Express/