Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Presidenti i Egnatias për provokimet në Banjallukë: Na fyen dinjitetin kombëtar

Presidenti i Egnatias për provokimet në Banjallukë: Na fyen dinjitetin kombëtar

Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, ka thënë se në ndeshjen e djeshme në Banjallukë u fye dinjiteti kombëtar dhe ka paralajmëruar se çështjen do ta ndjekin në instancat më të larta ligjore.

Kampionia e Shqipërisë u mposht 1-0 në ndeshjen e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Borcit të Banjallukës e cila u zhvillua në kryeqendrën e Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë.

Ndeshja u ndërpre për disa minuta pas thirrjeve “Kosova është Serbi”. Ka pasur edhe flamuj provokues, ndërsa Egnatia e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak. Pati ankesa edhe për gjyqtarin polak për drejtësi të njëanshme.

Demrozi ka zbuluar se ekipi është sulmuar edhe në bankën rezervë. Në këto kushte, siç thotë ai, futbolli kaloi në plan të dytë. Për të, nuk ka kuptim që në një garë të UEFA-s të ndodhin këto gjëra.

“U befasuam dhe natyrisht u mërzitën kur pamë pankarta dhe banderola ku shkruhej ‘Kosova është zemra e Serbisë’. Egnatia ka lojtarë kosovarë dhe natyrisht kjo nuk ishte e lehtë për ta. U munduan ta heqim vëmendjen nga tribuna, pasi kërkonim të merrnim një rezultat pozitiv në fushën e lojës”, ka thënë fillimisht Demrozi për “PanoramaSport”.

“Arbitrimi ishte skandal, as për kategoritë inferiore në kontinentin afrikan. Nuk e kuptoja sesi jepeshin kartonët e verdhë nga gjyqtari. Na goditën me sende të forta në stolin ku qëndronte ekipi. Fyerjet kundrejt nesh ishin evidente gjatë gjithë lojës dhe në këto kushte fatkeqësisht futbolli kaloi në plan të dytë”.

“Kërkuam ndërprerjen e lojës, pasi nuk po na mundësoheshin kushtet më minimale. Të ndodh kjo në kompeticionin më të madh për klube është një turp i madh”.

“Drejtori sportiv, Klejdi Zenelaj, ka kërkuar informacion për gjithçka ka ndodhur me zyrtarët e ndeshjes. Do ta ndjekim këtë çështje edhe në instanca më të larta ligjore, pasi na fyen dinjitetin kombëtarë, në kushtet kur ne nuk kishim as tifozë as nuk provokuam askënd. Megjithatë, falënderoj të gjithë klubin për gjithçka prodhoi dhe kam besim të hekurt se me 17 korrik do të bëjmë përmbysjen e madhe”, përfundoi i pari i Egnatias.

Ndeshja e kthimit në “Elbasan Arena” do të luhet pas një jave.

Powered by WordPress