Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë një interviste në mediumin e njohur amerikan CNN, kryeministri Kurti e përsëriti atë që tashmë është bërë refren i njohur i tij dhe në përgjithësi i përfaqësuesve institucionalë të shtetit të Kosovës, sikur se presidentes Vjosa Osmani dhe krye parlamentarit Konjufca, për lidhjet specifike të Serbisë me Rusinë dhe përdorimin e të parës nga e dyta, si agjente e interesave të saj imperiale edhe në Ballkanin Perëndimor. Se atë që Moska synon ta jetësojë në Ukrainë të njëjtën gjë e synon Beogradi ndaj fqinjëve të tij.
Është e vërtetë se këto dy shtete historikisht kanë pasur lidhje të thella historike, politike, kulturore dhe qëndrime të përbashkëta strategjike. Po ashtu, dihet botërisht mbështetja që Serbia ka gëzuar tek Kremlini, sa i përket politikave të saj hegjemonike. Si dhe nuk mund të mohohet fakti se Beogradi vazhdon të jetë një kërcënim destabizlues për paqen dhe sigurinë rajonale
Mirëpo, që nga pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia, nuk është se këto raporte nuk kanë pasur krisje. Për më tepër për fatin e keq të Kosovës dhe të kryeministrit Kurti, kjo luftë e ka dëmtuar tej mase pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Dhe një gjë e tillë është vërejtur edhe në procesin e dialogut me Serbinë, ku bashkësia ndërkombëtare ka qenë më tolerante ndaj shtetit fqinj. Kurse Kosova duke mos pasur ndonjë levë të rëndësihsme gjeopolitike në dorë ka ngulmuar vetëm në portretizimin e Aleksandër Vuciqit si vëllau i vogël i Putinit. Retorikë kjo, që nuk i ka krijuar shumë benfite diplomatike lidershipit të vendit.
Ndërkohë, është e vërtete që Serbia nuk i është bashkuar shteteve perëndimore ne sanksionimin e Rusisë. Por ajo e ka përkrahur integritetin territorial të Ukrainës. Po ashtu, është raportuar herë pas herë, se Serbia e ka furnizuar me armatim ushtrinë e Ukrainës. Veprime këto që bien ndesh me interesat e Rusisë dhe e kanë afruar Beogradin me Perëndimin. Dhe më kryesorja ajo që më së shumti i ka interesuar bashkësisë ndërkombëtare, pas pushtimit brutal të Ukrainës, ishte shmangia me çdo kusht e tensioneve dhe konflikteve në zona tjera të nxehta gjeopolitike. Sepse, ky skenar do t’i shkonte për shtati vetëm Putinit, me qëllim që të zhvendosej dhe shpërqendrohej vëmendja e opinionit publik ndërkombëtar në këto zona tjera. Në këtë kontekst, janë të njohura skenat kur presidenti serb Aleksandër Vuçiq, u premtonte burrshtetaseve perëndimorë se ai do ta mbajë larg Serbinë nga çdo spirale e dhunës rajonale, duke nënkuptuar këtu Bosnjën dhe Kosovën. Nuk është e rastësishme që para pak kohe, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe Olena Zelenska, gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ëndruan për vizitë zyrtare në Beograd.
Prandaj, nëse sot Serbia është duke kërkuar një aleat dhe mbështetje diplomatike kundër Kosovës është më shumë Kina se sa Rusia. Madje presidenti rus “(Vladimir) Putini, disa herë ka lënë të nënkuptohet se Kosova mund të ishte një mjet pazaresh dhe ai do ta njihte nëse Perëndimi do të njihte pretendimet ruse ndaj territoreve të okupuara ukrainase dhe gjeorgjiane”. Një gjë të tillë lideri rus e ka potencuar në një intervistë me gazetarin kontraverz amerikan, Tucker Carlson. Po ashtu, nuk është e rastësishme që presidenti serb Aleksandër Vuciq, në shumë raste ka pohuar, se sot Kina është nga aleatët kryesor ku mund të mbështetet kundër Kosovës E tëra kjo duke tërhequr paralele me ishullin e Tajvanit.
Ndërkohë, lideri kinez edhe gjatë vizitës së fundit në Serbi pat deklaruar, “Kina mbështet Serbinë në respektimin e pavarësisë së saj dhe ndjekjen e një rruge të zhvillimit që u përshtatet kushteve të saj, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial sa i përket çështjes së Kosovës”. Kurse në anën tjetër, kryetari i Serbisë e përsërti qëndrimin e tij të njohur se “kur dikush na pyet për çështjet në Kinë, rreth Tajvanit, Ksinjiangut, Hong Kongut… përgjigjet tona janë shumë të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe në përputhje me parimet e politikës kineze dhe të së drejtës publike ndërkombëtare. Kështu ka qenë, kështu do të jetë”. Pra sipas tij “Tajvani është Kinë” dhe kjo është përtej çdo diskutimi.
Kështu, ky raport divergjent Rusi-Serbi për Ukrainën dhe konvergjent Serbi-Kinë, për Tajvanin dhe Kosovën tregojnë edhe anën tjetër të shtetit serb. Po ashtu, sot Serbia është njëri nga vendet më atraktive për investimet kineze. Për më shumë ajo është shndërruar në njërën nga portat më të rwndwsishme strategjike të depërtimit të tyre edhe në pjesën tjetër të Evropës. Dhe ishin pikërisht kufizimet e këtyre investimeve që mëtonte t’i arrinte Marrëveshja e Uashingtonit apo e njohur ndryshe si marrëveshja për normalizimin ekonomik e nënshkruar nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, marrëveshje kjo, të cilën kryeministri Kurti e kishte kundërshtuar me të gjitha mjetet./TV Arbëria