Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti: Serbia e ngjashme me Rusinë, nuk e pranon Kosovën as de facto as de jure

Kurti: Serbia e ngjashme me Rusinë, nuk e pranon Kosovën as de facto as de jure

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për CNN, me gazetaren Christiane Amanpour, ka thënë se Serbia është e ngjashme me Rusinë, dhe se në asnjë variant nuk pranon shtetësinë e Kosovës.

“Serbia është shumë e ngjashme me Rusinë, nuk e pranojnë as de facto as de jure fqinjin e saj”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe fuqinë e saj, tash dhe atë kohë.

“Kushdo që është ende gjallë dhe ishte në Kosovë më 10, 11, dhe 12 qershor të vitit 1999 e di se ato ditë janë ditët më të lumtura të jetës së tyre. Çlirimi u mundësua nga qëndrueshmëria dhe lufta e njerëzve dhe nga ndërhyrja e NATO-s”, tha Kurti në CNN.

Në video-lidhje ishte edhe gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.

Clark ka thënë se “Serbia është dorë e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave ruse”.

Kurti, mes tjerash, tha se ndërhyrja ishte vendimtare për këto 25 vite që kanë qenë vite të demokracisë dhe përparimit.

“NATO pas hyrjes në Kosovë mundësoi ngritjen e institucioneve. Filluam të shkonim në shkolla. Filluam të punonim”, tha Kurti, duke shtuar se në Kosovë “jeta rifilloi”.

“Sot është e vështirë të shpjegohet. Eh, ky moment që ndoshta është i ngjashëm vetëm me çlirimin në Evropën Kontinentale nga Gjermania naziste. Dhe unë mendoj se, ky është kujtimi më i rëndësishëm që njerëzit kanë dhe ata e vlerësojnë atë dhe duan të ndërtojnë mbi të duke avancuar më tej vendin tonë”, tha Kurti.

Kurti është lidhur drejtpërdrejt në këtë intervistë nga Mali i Zi.

Powered by WordPress