Sot gjatë ditës në komisionin për Administratë Publike me shoqërinë civile është diskutuar “Projektligji për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronave të komunave”.
Për këtë përmes një postimi në Facebook ka reaguar deputeti i kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i cili ka thënë se amandamentimet që bëhen në këtë ligj, duhet të jenë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të komunave.
Tahiri është shprehur se në këtë aspekt nenet duhet të jenë të sakta, sqaruese që ndihmojnë trajtimin e të gjitha temave.
“Diskutimi do të vazhdojë edhe në grupet punuese dhe është e rëndësishme që ky ligj të kalojë sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq sipas tij ligji në fjalë ka kaluar gjatë kohës së Qeverisë së Ramush Haradinajt.
“Ligji në fjalë ka kaluar gjatë kohës së Qeverisë së Ramush Haradinajt, ligj i cili ka mundësuar me qindra projekte zhvillimore në komuna të Kosovës”, ka përfunduar Tahiri.