Shkruan Afrim Kasolli
Ajo që dallon kryeministrin e ri britanik, pa dyshim se mbetet edhe njohja e kontekstit të krizës dhe luftërave në vitet ’90-ta që u zhvilluan në hapësirën ish-jugosllave si pasojë e agresionit të Serbisë, mbi ish njësitë tjera të atij shteti. Arsyet e kësaj njohje kanë të bëjnë edhe me faktin, se Keir Starmer, si avokat e kishte përfaqësuar shtetin e Kroacisë në Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND, kundër Serbisë. Padia kishte të bënte me dënimin për gjenocid kundër shtetit serb.
Ndërkaq, në anën tjetër, duhet kujtuar, se ish-sekretari i jashtëm britanik David Cameron në Prishtinë, kishte deklaruar se cili do shtet (kuptohet këtu është fjala për Serbinë) pretendon ta sulmojë Kosovën, do të ballafaqohet edhe drejtpërdrejtë me Britaninë. Sepse është interes primar i Londrës, mbrojtja e Kosovës dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Për më shumë, ai pat pohuar se në rast të përsëritjes së sulmeve të tilla, sikur se ai 24 shtatorit, ushtarët britanik duhet të luftojnë. Dhe po ashtu i njëjti diplomat, nuk kishte lënë pa e kritikuar edhe qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Sepse sipas tij strategjia e tanishme komunitetit trans-atlantik për Kosovën, është e dizajnuar para sulmit agresiv të Rusisë mbi shtetin e Ukrainës. Prandaj, “ne tani duhet të mendojmë shumë lidhur me atë se çfarë ka ndryshuar, sepse sigurisht Rusia dëshiron të bëjë më shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, të bëjë më shumë përmes bashkëpunëtorëve të saj, përfshirë Serbinë, t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë më pak të sigurta. Prandaj, ne duhet të punojmë për të gjetur mënyra se si ta luftojmë këtë. Mendoj se politika jonë është e ashpër dhe realiste”.
Mirëpo, sipas Davor Gjenero, analistit të mediumit Al Jazeera Ballkans, lideri laburist, ndonëse siç thamë e njeh mirë politikën agresive të Milosheviqit, dhe pasojat që ajo ka prodhuar, megjithatë nuk do të ketë shumë kohë të merret me Ballkanin Perëndimor. Ai do ta vazhdojë politikën e deri tanishme britanike për mos lejuar mohimin e gjenocidit që ka ndodhur, sikur se në rastin e Srbernicës, por nuk pritet diçka me shumë. Sepse energjitë e tij do te jenë më shumë të fokusuara në rritjen ekonomike të vendit, shërbimeve sociale dhe marrëdhëniet me BE-në, si dhe atë të do të ndodhë pas përfundimit me zgjedhjet në SHBA. /TV Arbëria