Përgatiti: Afrim Kasolli
Pas 14 vjet në pushtet, Partia Konservatore Britanike i humbi zgjedhjet. Partia Laburiste nën drejtimin Kair Starmer, korri një fitore të paimagjinueshme vetëm një vjet më parë.
Ky rezultat shihet qartë se ishte një “rebelim” qytetar kundër trashëgimisë konservatore në vendin ishullor. Presionet e çmimeve të larta, degradimi i sistemit shëndetësor, dikur krenaria e këtij vendi, dhe imigrimi, janë vetëm disa plagomat e që kanë ardhur duke u përkeqësuar gjatë kësaj dekade.
Sipas Fintan o’Toole, në shkrimin “Can Starmer Save Britain”? të botuar para pak ditë në Foregin Affairs, asnjë nga sfidat me të cilat sot përballet shoqëria britanike nuk mund të kurohen pa një ndryshim rrënjësor të sistemit. Dhe politika e këtij shteti mjerisht është e hendikepuar pikërisht në këtë drejtim. Prandaj edhe kryeministri i ri vuan nga këto kontradikta.
Fillimisht ai i ka pranuar kufizimet fiskale konservatore të cilat e paraqesin pengesën kryesore në reformimin e investimeve publike. Sipas këtij artikulli rritja e pagave gjatë kësaj periudhe ka qenë me ulëta që nga luftërat napoleonike. Po ashtu rritja prodhimit të brendshëm prej 2007 nuk ka qenë më e madhe se 0.4 përqind, që është më e ulëta që nga viti 1876 . E njëjta gjë e karakterizon Shërbimin Nacional Shëndetësor. Shumë agjenci lokale të këtij sektori kanë falimentuar. Kurse sipas vlerësimeve të Komisionit për të ardhmen e Britanisë, të nominuar nga ish kryeministri laburist Gordon Brown, më shumë se 30 milionë banorë, pra gati gjysma e popullsisë, jeton në zona që nuk janë më të pasura se sa pjesët me të varfra të Gjermanisë Lindore, me të varfra se sa disa pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe më të varfra se sa shtetet e Misisipit dhe Virxhinas Perëndimore”.
Ndërkaq, listës së këtyre telasheve pa dyshim se i prin pasojat e Brexit-it. E të cilat përkundër dëshirës së drejtuesit të Partisë Laburiste për ‘i shmangur gjatë fushatës elektorale, do t’i rikthehen me tërë ashpërsinë tyre në tavolinën e punës. Sepse për shkak të përkeqësimit të gjendjes që ka krijuar ky proces në sprovë është edhe vet uniteti i shtetit. Propaganduesit e dikurshëm të daljes së Britanisë nga BE-ja, premtonin se në këtë mënyrë do të restaurohet dinjiteti i “post –perandorak” në nivel global. Mirëpo, sot si tema më akute që pret zgjidhje pa dyshim se mbetet “ lidhja e fuqishme ndërmjet pushtetit dhe varfërisë. Çuditërisht, rajonet që gëzojnë më pak pushtet janë edhe më të varfra, sikurse Anglia veriore, Skocia, Wales dhe Irlanda Veriore, rajone këto që edhe kanë identitet të veçantë nacional. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar mbetet njëri nga vendet me dallimet më të madhe ekonomike në aspektin ndër regjional. Është e vërtetë se shumë kompani kanë shënuar sukses për shkak të eksportit të ekspertizës në aspektin teknik, legal, shërbimeve financiare etj. Dhe ky është një lajm i mirë për avokatet, bankierët, menaxherët, por jo edhe për fermerët, punëtorët industrialë dhe konsumatorët e zakonshëm. Pra ka më shumë nga ata që kanë humbur se fituar. Kështu, Brexi-ti ka ndikuar në përkeqësimin e standarteve të jetesës me keq se çdo herë tjetër që nga viti 1950.
Në këtë kontekst, ajo që Qeveria e re duhet ta kuptojë vazhdon, artikulli në fjalë, është fakti se Mbretëria e Bashkuar ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Ky entitet ishte krijuar dhe mbajtur së bashku; nga zhvillimi i Perandorisë Britaneze, ngjizja e identitetit Protestan ( pra në mase të madhe anti-Katolike) Revolucioni Industriale, shpikja e suksesshme e Monarkisë dhe ndërtimi i demokracisë sociale të pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, të gjithë këta paramakë thuajse janë demoluar. Perandoria nuk ekziston më. Mbretëria e Bashkuar nuk është më as shumicë kristiane e të mos flasim Protestante, baza e saj industriale është braktisur nga politikat e Margret Thatcher-it, kurse fuqia e saj e dikurshme ushtarake nuk është në gjendjen më të lavdishme, Monarkia me vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth, ka humbur spirancën e duhur në detin e trazuar të historisë dhe shume nga arritjet e demokracisë sociale janë shkatërruar nga qeverisja Konservative.
Janë tensione të tilla që tregojnë, se sot para Kair Starmer, ndodhet njëra nga detyrat dhe sfidat me urgjente, ajo e “rikrijimit të Unionit”. Ndonëse mbetet e paqartë a do ta marr mbi supe ai këtë mision.
Mirëpo, nëse dështon që këtë mbështetje publike ta përdor në adresimin e këtyre problemeve strukturore, atëherë nuk është larg mendsh që mbështetja prej 14 përqind për Nigel Farage, e siguruar në këto zgjedhje nesër do të mund të shndërrohet në disponim masiv politik. E ardhmja mbetet e hapur. Kurrë më shumë se në këtë kohë nuk kanë marrë kuptim vargjet emblematike të poetit të njohur irlandez, William Butler Yeats, që për ta ruajtur kuptimin e tyre po i lëmë në gjuhën e tyre origjinale, “Things fall apart; the centre cannot hold; Mere anarchy is loosed upon the world” .
Prandaj, nga politikat kryeministrit të ri britanik, do të varet në masë të madhe se sa do të mbijetojë qendra në vitet që shtrihen para nesh. /TV Arbëria