Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris të shtunën e vuri fokusin në rreziqet e një administrate të dytë Trump, në vend të shqetësimeve në rritje për kandidaturën e Presidentit Joe Biden, teksa u përpoq t’i bindte votuesit me ngjyrë që ta siguronin edhe një herë një fitore për Biden-Harris, raporton CNN.
“Kjo është ndoshta zgjedhja më domethënëse e jetës sonë”, tha Harris gjatë një bisede në Festivalin Essence në New Orleans, duke pretenduar se ish-presidenti Donald Trump e ka shprehur hapur “qëllimin e tij për të qenë diktator në ditën e parë” nëse do të rizgjidhet.
Ndalesa e Harris në festivalin vjetor të muzikës dhe kulturës vjen ndërsa fushata e Bidenit punon për ta ringjallur një cep të koalicionit që ndihmoi në futjen e presidentit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.
Biden e mundi Trump 87% me 12% mes votuesve me ngjyrë në vitin 2020, sipas sondazheve të CNN. Por Trump ka bërë përparime me bllokun kritik të votimit kohët e fundit. Një sondazh i New York Times/Siena College, i publikuar në maj, zbuloi se Trump fitoi më shumë se 20% të votuesve me ngjyrë në një ndeshje të dyanshme me Biden, që do të ishte një nivel historik nëse përkthehet në vota në nëntor.