Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se po ruan barnat në depo të fundosura nga uji, ndërsa akomodon stafin e tre inspektorateve në një objekt në vlerë mbi 1.2 milion euro.
Këtë Haxhiu, me anë të një postimi në ‘Facebook’, e ka quajtur skandal të radhës të Ministrisë së udhëhequr nga Arben Vitia.
“Ministria e Shëndetësisë merr objekt me qera 1 milionë e 242 mijë euro për akomodimin e stafit të tri inspektorateve, përderisa Depoja qëndrore farmaceutike e MSH-së që ndodhet te Pallati i Rilindjes është fundosur nga uji për shkak të reshjeve të shiut. Pse po mbahet “sekret” fundosja e depos qëndrore farmaceutike e MSH-së? Si është e mundur që barnat të ruhen, në një ambient me lagështi ku depërton uji? Ndërsa në anën tjetër MSh u siguron objekt milionësh stafit të Inspektoratit! Çfarë logjike menaxhues është kjo ku më shumë shpenzohet për inspektora se për ruajtjen e barnave, që janë jetike për pacientët?”, ka shkruar Haxhiu në ‘Facebook’.
Ai për krejt këto ka kërkuar hetim nga Prokuroria.
“Prokuroria duhet të inspektojë këtë depo, ngase mund të asgjesohen stoqe të tëra të barnave për të mbuluar vjedhjen ne sektorin e faramcisë të MSH-së! Dhe për këtë skandal të mirret në pyetje ministri i Shëndetësisë”, përfundon postimi i tij.