Granit Xhaka dhe Zvicra e tij mbyllën aventurën në Euro 2024 në fazën e çerekfinaleve pasi nuk mundën të shkonin përtej pas përplasjes me Anglinë.
Helvetët u eliminuan vetëm pas goditjes së 11-metërshave, teksa edhe njëherë tjetër, mesfushori me origjinë shqiptare ishte nga më të mirët në fushë, pavarësisht se luajti me një problem muskulor.
Pas përfundimit të ndeshjes, Bukayo Saka deklaroi se e admironte së tepërmi Granit Xhakën, duke theksuar se ai ishte një njeri i mrekullueshëm.
“Graniti ka fituar shumë trofe këtë sezon. Ai është një lojtar i shkëlqyer, por mbi të gjitha një njeri i mrekullueshëm. Përulësia që tregoi pas ndeshjes kur erdhi dhe na takoi të gjithëve tregon shumë për karakterin e tij. Kam shumë respekt për Xhakën dhe e admiroj atë dhe skuadrën e Zvicrës”, u shpreh Saka, i cili më parë ka luajtur me Xhakën te Arsenal.