Gareth Southgate e shijoi në maksimum ndeshjen e 100-të në drejtimin e Anglisë, që mundi Zvicrën për të avancuar në gjysmëfinalen e Euro 2024.
Ndonëse takimi u vendos nga penalltitë, 53-vjeçari u shpreh i lumtur në fund të ndeshjes për karakterin që treguan lojtarët e tij.
“Djemtë ishin të shkëlqyer. Kjo është ndeshja më e mirë që kemi luajtur deri tani. I krijuam Zvicrës shumë probleme kur kishim topin në zotërim.
Zvicra është një Kombëtare shumë e fortë dhe është e vështirë t’u bësh presing atyre. Reaguam sërish pas disavantazhit, kjo tregon karakterin e lojtarëve.
Suksesi në turne të tillë nuk vjen vetëm duke luajtur mirë, por edhe duke dëshmuar karakter dhe mentalitet në momentet kyçe“.
Numri një i “Tre Luanëve” theksoi që skuadra e tij i ka praktikuar shumë mirë penalltitë në vitet e fundit. Nuk mungon vlerësimi për Jordan Pickford, i cili priti një penallti vendimtare.
“Kemi treguar përmirësim në seritë e penalltive në vitet e fundit. U kryqëzuam herën e fundit kur u mundëm ndaj Italisë në finalen e Euro 2020.
Në Kombëtare kemi lojtarë që godasin rregullisht për ekipet e tyre. Ata treguan qetësinë e duhur. Na duhej dhe ndihma e Pickford, gjithnjë i aftë për të pritur penallti të rëndësishme“.