Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kryeministri i Hungarisë takon Putinin në Moskë në një vizitë të rrallë evropiane

Kryeministri i Hungarisë takon Putinin në Moskë në një vizitë të rrallë evropiane

Presidenti rus Vladimir Putin mirëpriti kryeministrin hungarez Viktor Orban në Moskë të premten për një takim të rrallë me një udhëheqës evropian për të diskutuar propozimet e paqes për Ukrainën.

Vizita e Orbanit vjen vetëm disa ditë pasi ai bëri një udhëtim të ngjashëm të paparalajmëruar në Ukrainë, ku u takua me presidentin Volodymyr Zelensky.

Ai aty propozoi Ukraina të konsideronte dakordësinë për një armëpushim të menjëhershëm me Rusinë, raporton Euronews.com.

“Numri i vendeve që mund të bisedojnë me të dyja palët ndërluftuese po zvogëlohet”, tha Orban.

“Hungaria po bëhet ngadalë i vetmi vend në Evropë që mund të flasë me të gjithë”, shtoi ai.

Reagimi nga Ukraina ishte i shpejtë.

“Vendimi për të bërë këtë udhëtim u mor nga pala hungareze pa miratim apo koordinim me Ukrainën. Kujtojmë se parimi mos marrëveshje për Ukrainën pa Ukrainën mbetet i pacenueshëm për vendin tonë dhe u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që t’i përmbahen rreptësisht atij”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Në komentet në fillim të takimit të tyre që u transmetuan në televizion, Putini sugjeroi se Orban kishte ardhur në Moskë si përfaqësues i Këshillit Evropian, pavarësisht se disa zyrtarë evropianë e kishin dënuar vizitën.

Si Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e cila u shpreh në platformën e mediave sociale X se pajtimi nuk do të sigurojë paqe.

Kryeministri hungarez, i cili shihet gjerësisht se ka marrëdhëniet më të ngrohta me Putinin në mesin e të gjithë liderëve të Bashkimit Evropian, në mënyrë rutinore ka bllokuar, vonuar ose zbutur përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vendosur sanksione ndaj Moskës për veprimet e saj në Ukrainë.

Ai ka argumentuar për një kohë të gjatë për një ndërprerje të armiqësive në Ukrainë, por pa përshkruar se çfarë mund të thotë kjo për integritetin territorial të vendit ose sigurinë e ardhshme.

Ky qëndrim ka frustruar aleatët e Hungarisë në BE dhe NATO, të cilët i kanë konsideruar gjerësisht veprimet e Rusisë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim për sigurinë e vendeve në Evropën Lindore.

Vizita në Moskë ishte ide e Orbanit dhe u ra dakord vetëm të mërkurën, tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass.

Putini i tha Orbanit se donte të dëgjonte për pozicionin e “kolegëve evropianë” të tij për Ukrainën dhe të diskutonte planin e Moskës për paqen, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Orbani vuri në dukje se takimi ishte hera e katërmbëdhjetë që udhëheqësit kanë mbajtur bisedime dypalëshe që nga viti 2009.

Më vonë në një konferencë shtypi, Putini pretendoi se Ukraina nuk ishte gati të diskutonte një armëpushim.

“Nuk duhet të jetë thjesht një armëpushim, ose një pezullim i përkohshëm i zjarrit, ose një lloj pauze që regjimi i Kievit mund të përdorë për të rikuperuar humbjet, për t’u rigrupuar dhe për t’u riarmatosur. Ne po flasim për tërheqjen e plotë të të gjitha trupave ukrainase nga Republikat Popullore të Donetsk dhe Luhansk, rajonet Zaporizhzhia dhe Kherson”, tha presidenti rus.