Me dhënien e fjalës përfundimtare nga ana e mbrojtjes ka përfunduar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Malishevës Ragip Begaj dhe të tjerëve, të cilët kërkuan lirimin e tyre në mungesë të provave.
Në këtë rast, për korrupsion për shkak të shpronësimeve dhe shpalljes së ‘Zonës ekonomike” të Malishevës po akuzohen ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj bashkë me ish-ministrin Bajram Hasani e zëvendësministrin Faton Thaqi. Pjesë e aktakuzës për korrupsion janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi. Ndërsa, Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “mashtrim”.
Fjalën e tyre përfundimtare, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve e dorëzuan me shkrim, që të njëjtën me pas e elaboruan në seancën e së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Begaj, avokati Rrahman Kastrati, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, administrimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve të shumtë është konstatuar qartë se nuk ekziston askund asnjë provë e cila provon së pari ekzistimin e qëllimit, e po ashtu nuk ekziston asnjë provë që i mbrojturi i tij ka pas ndonjë kontakt apo bisedë me tani të ndjerin M.H.
“Konstatimi i këtij qëllimi u pa që ishte vetëm imagjinar ashtu siç është imagjinar edhe ndërlidhja e çfarëdo veprimi ndërmjet Ragip Begajt dhe M.H ”, tha avokati Kastrati.
Referuar provave të administruara, që sipas tij, Prokuroria është përpjekur që të vërtetojë fajësinë e Begajt, ai tha se këto të ashtuquajtura prova nuk provojnë asnjë element apo veprim penal të tij.
Kastrati po ashtu ka thënë se edhe gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor nuk u vërtetua asgjë tjetër dhe asnjë lloj dyshimi lidhur me dyshimet e prokurorit.
‘Shkresat tjera voluminoze nuk provojnë asnjë element të veprimeve penale të Ragip Begajt që do të mund të formonin figurën e veprës për të cilën akuzohet. Asnjëri nga dëshmitarët nuk ka thënë as edhe një fjalë për asnjë veprim të Ragip Begajt dhe të tjerëve lidhur me kryerjen e veprës penale”, tha tutje ai.
Ai i ka propozuar gjykatës që Begaj të lirohet nga akuza në mungesë të provave, derisa ka thënë se nuk kishte asnjë provë me të cilën do të vërtetohej se ish-kryetari i Malishevës ka tejkaluar kompetencat e tij ose ka pasur qëllimin që vetit apo tjetrit t’i sjellë dobi pasurore.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bashkim Krasniqi, avokati Ramadan Paçarizi në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij, duke thënë se nuk ka prova që e mbështesin dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka tejkaluar kompetencat dhe autorizimet zyrtare.
“Konsiderojmë se nga administrimi i të gjitha provave materiale dhe jo materiale gjatë gjithë këtij shqyrtimit gjyqësor u vërtetua se aktakuza është në tërësi e pabazuar në prova dhe që mund të mbështet dyshimin e bazuar e aq më pak dyshimin e bazuar mirë se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha avokati Paçarizi.
Tutje, ai tha se gjatë gjithë këtij shqyrtimi maratonik gjyqësor aktakuzës i munguan provat bindëse në të cilat do të mbështetej pretendimi akuzues.
Në vijim, fjalën përfundimtare e ka elaboruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Malë Krasniqi, avokati Emrush Kastrati, i cili tha se bazuar në provat që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
“Sepse gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si shef i zyrës së gjeodezisë së Komunës së Malishevës i njëjti veproi në pajtim me dispozitat ligjore dhe me detyrat e përgjegjësit e tij nga marrëdhënia e punës, sikurse me asnjë provë qoftë materiale apo personale nuk është vërtetuar pretendimi i aktakuzës se i mbrojturi Malë me vetëdije paska kryer veprën penale objekt i aktakuzës”, tha avokati Emrush Kastrati.
Po ashtu, ai tha se as nga dëshmitë e dëshmitarëve nuk është vërtetuar asnjë veprim inkriminues i të mbrojturit të ti dhe sipas tij, provat materiale të propozuara nga prokuroria nuk janë prova inkriminuese.
“Në kuptim të dispozitave ligjore kemi të bëjmë më prova thelbësisht të papranueshme në kuptimin juridik të inkriminimit, jo që s’janë prova të pranuara, por nuk janë inkriminuese”, ka thënë tutje ai.
Ndër të tjera, ai ka thënë se në këtë rast nuk është dëmtuar as Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e as buxheti i shtetit.
“Pra në këtë drejtim nuk kemi palë të dëmtuar si element qenësor të veprës penale dhe nëse dikush është dëmtuar rezulton se janë dëmtuar qytetarët e Komunës së Malishevës, askush tjetër jo, për mos krijimin e zonës për shkaqe politike”, tha avokati Emrush Kastrati.
I njëjti i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të nxjerrët aktgjykim lirues në mungesë të provave.
Me elaborimin e fjalës përfundimtare ka vazhduar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Hasani, avokati Ymer Huruglica, i cili po ashtu ka thënë se në bazë të të gjithë provave të administruara në këtë shqyrtim gjyqësor nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë. Andaj, i njëjti i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të nxjerr aktgjykim lirues.
Aktgjykim lirues në fjalën përfundimtare ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Faton Thaqi, avokati Imer Beka, i cili tha se gjatë administrimit të provave nga ana e Prokurorisë nuk është deponuar as edhe një fakt apo provë me të cilën do të vërtetohej se i mbrojturi i tij ka pasur qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore.
“Po të shikojmë mirë pretendimet e aktit akuzues, administrimin e provave materiale posaçërisht dëshmitarët, asnjë dëshmitarë që kemi dëgju qetu asnjë nuk ka provuar asnjë fakt që prokuroria ka propozuar sa i përket Faton Thaqit” , tha avokati Beka.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Rrahmanaj, avokati Bekim Kryeziu ka kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij, i cili në fjalën përfundimtare ka thënë se nga administrimi i provave është vërtetuar se nuk ka vepër penale ndaj të mbrojturit të tij.
“Për shkak se prokuroria ka ngrit aktakuzë për një periudhë kohore prej 2007 deri në vitin 2013 kurse në aktakuzë ka përmendur ligjin i cili hy në fuqi më 15 qershor 2016, gjithashtu nuk ka pasur manipulim të procedurës së privatizimit ashtu siç ka pretendu prokuroi edhe në fjalën e tij të fundit”, tha avokati Kryeziu.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Hajdin Berisha, avokati Haki Kryeziu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Nazmi Kafexholli avokati Agron Kajtazi, fjalën e tyre e dorëzuan me shkrim por të njëjtën nuk e kanë elaboruar.
Kurse, të gjithë të akuzuarit në këtë rast e mbështeten fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre.
Ndryshe, për këtë rast në seancën e 19 qershorit 2024, prokurori special Naim Abazi kishte paraqitur fjalën përfundimtare i cili kishte propozuar që të akuzuarit të dënohen dhe të marrin dënim meritor.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.
Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë.