Është një nga modelet më të njohura në botë, por malësorja Emina Çunmulaj nuk ndalet asnjëherë së ndihmuari shqiptarët kudo që janë.
Filantropja ishte në një vizitë disaditëshe në Kosovë dhe ka sjellë pajisje pune për gratë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një intervistë në emisionin Radar në Radio Dukagjini tregoi se ka dëgjuar rrëfime shumë të rënda të këtyre grave dhe bënë thirrje që t’i mbështesim.
“Ne si shoqëri duhet të u japim përkrahjen. Ka shumë histori, shumë dhimbje. Nuk mund të paramendohet se çfarë jete kanë ato secilën natë kur shkojnë me flejt. Ne si shoqëri po i stigmatizojmë. Duhet t’i përkrahim. Duhet të themi: po ju trimat keni pas allti keni dal me luftu, hallall ju koftë, por këto gra i keni lënë në shtëpi me ua ruajt fëmijët, të shkretat nuk kanë pas faj. Hajde t’i përkrahim sot. Zoti e di si flejë. Shpresojë, që ndoshta zgjohemi nga gjumi ne dhe e kuptojmë që kanë nevojë për ne, për mbështetjen tonë, mos t’i thonë: ja çfarë i ka ndodhur, e kanë dhunuar serbët”, thotë ajo, duke shtuar se Kosova është e lirë po jo edhe gratë e dhunuara.
Ka treguar për jetën e saj në rini, mënyrën si është bërë modele, si ka ruajtur lopët dhe pse kthehet vazhdimisht në vendlindjen e saj por edhe kudo që ka shqiptar.
Ka folur për planet që ka në Kosovë, por pa dhënë detaje, ajo që u kuptua ishte se do të ketë bursa për vajzat nga fshatrat. Mes lotësh ka kujtuar nënën e saj dhe këshillat që i ka dhënë ajo vazhdimisht.
Ka zgjedhur Atifete Jahjagën si lidere të të gjithë shqiptarëve, ndërsa thotë se do të donte të kthehej në Ballkan për të jetuar e që nuk do i mungonte asgjë nga Amerika. Shumë këshilla për të rinjtë edhe premtime për përkrahje ka dhënë në intervistën me Edita Dolin.