Simon Simoni pritet të bëhet me skuadër të re, por vetëm për një sezon si i huazuar.
Portieri i Kombëtares së Shqipërisë është pjesë e Eintracht Frankfurtit, megjithatë ende nuk ka debutuar me ekipin e parë.
Reprezentuesi shqiptar nga sezoni i ardhshëm do të ketë më shumë hapësira në ekipin e parë, por në Bundesliga 3 të Gjermanisë.
Drejtuesit e Eintracht Frankfurt kanë vendosur që ta huazojnë “gardiani” kuqezi tek skuadra e Ingolstadt.
Te Frankfurt besojnë shumë tek cilësitë e Simonit, të cilit i kanë ofruar dhe një rinovim të kontratës, ndërsa në anën tjetër kanë arritur marrëveshjen me skuadrën që militon në ligën e tretë të Gjermanisë, në mënyrë që të marrë minuta e të jetë në formë, që edicionin e ardhshëm të jetë një alternativë me potencial për portën e Eintracht Frankfurt.
Duke qenë vetëm 19-vjeç, Simoni konsiderohet si një portier me të ardhme të madhe, ndaj te Eintracht Frankfurt po e trajtojnë me shumë kujdes portierin e lindur në Lezhë.
Simoni do të jetë portieri i parë i Ingolstadt në sezonin e ri dhe nëse gjërat shkojnë mirë, edicionin e ardhshëm nuk do ishte aspak çudi që ta shohim të mbrojë kuadratin e një prej skuadrave më të mëdha në Gjermani si Eintracht Frankfurt.