Analisti politik Afrim Kasolli ka komentuar së fundmi procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij procesi, shkruan TV Arbëria.
Kasolli thotë se tashmë është bërë një traditë, mungesa e një qëndrimi nga pushteti për dialogun Kosovë-Serbi.
“Është bërë thuajse traditë mungesa e një qëndrimi “unik” për dialogun me Serbinë e përfaqësuesve shtetërorë të Kosovës. Kjo sjellje ka krijuar një konfuzion në opinionin publik për këtë process”, ka thënë Kasolli.
Tutje Kasolli shkruan: “Bie fjala, kur Kosovës i ishte dorëzuar draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të hartuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri Kurti të njëjtin e pat mbrojtur me një pasion të jashtëzakonshëm para deputeteve të opozitës, si një dokument që më në fund e ndërpret trashëgiminë mos-njohëse të Kosovës nga Serbia, dhe të shkruar në përputhje me germën e Kushtetutës së vendit. Por pa kaluar shumë kohë, i pari e Qeverisë filloi ta denonconte të njëjtin dokument si një “non paper”. Ky dualizëm po ashtu, i ka vendosur në “lajthitje” dhe shumë diplomatë ndërkombëtarë. Disa nga ta kanë deklaruar se çuditen me refuzimin që aktualisht kryeministri Kurti po i bënë këtij drafti, kur të njëjtin e ka pranuar para tyre. (Por kjo është një temë tjetër)”.
Kasolli vazhdon shkrimin e tij duke përmendur dhe dështimin e takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, javën e kaluar.
“Ndërkohë, javën e kaluar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, udhëtuan në Bruksel për të zhvilluar një raund të ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ai takim ishte aranzhuar nga vizita paraprake e të dërguarit të Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Kurti para kësaj ngjaje kishte deklaruar se do të udhëtojë në kryeqendrën evropiane, me qëllim që ta shoh se në “çfarë gjendje ndodhemi, si dhe për një lloj rikaputullimi të procesit 3 vjecar”. Mirëpo, një takim i tillë dështoi në momentet e fundit, për shkak të kushteve të vëna nga kryeministri Kurti për vazhdimin e dialogut. Këto kushte përfshin, “formalizmin e Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; Tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës””, shkruan Kasolli transmeton TV Arbëria.
Ndër të tjera Kasolli përmend dhe takimin mes zëvëndëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit të Serbisë Petar Petkoviq, ku thotë se procesi i dialogut po vazhdon ani pse kryeministri Kurti kishte refuzuar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, përmes kushteve.
“Ndërkohë, për ta bërë edhe të mjegullt situatën, hiç më larg se dje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi para mediave se të gjitha instancat shtetërore, duhet t’i përmbahen kushteve të kryeministrit Albin Kurti për dialogun. Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osamani , gjatë takimit me Ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ka pohuar se “dialogu i barabartë me Serbinë vetëm pas heqjes se sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës”. Konstatim ky që tregon se zv. kryeministri Besnik Bislimi është bërë pjesë e një procesi asimetrik ndaj Kosovës, sepse ende masat nuk janë suspenduar.
Sidoqoftë, mbase qëndrime të tilla fragmentare nuk janë të rastësishme. Ato strategjikisht mund të derivojnë nga kalkulimi për ta trullosur sa më shumë opinionin publik për këtë proces. Ku është i njëjti pushteti që vendos kushte edhe i shpërfill ato, apo i pranon marrëveshjet që dalin nga dialogu si dhe u bënë “rezistencë” atyre. E në këtë mënyrë krijohet bindja e përgjithshme “se gjithçka është e mundur dhe asgjë e vërtetë” mbi pozicionin real te pushtetit në raport me dialogun me Serbinë”, ka shkruar Afrim Kasolli. /TV Arbëria