Shkruan: Afrim Kasolli
Javën e kaluar një takim i paraparë trelateral ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq , dhe përfaqësuesit për politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, me qëllim zhvillimin e një raundi të ri të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve, dështoi që të mbahet për shkak të disa kushteve specifike që i pari i Qeverisë së Kosovës i vendoi para fillimit të takimit. Këto kushte, siç u bënë publike përfshin, “formalizmin e Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; Tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”. Ndonëse, edhe përkundër këtyre kushteve, sot në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me qëllim siç ka deklaruar, M. Lajçak, “zbatimin urgjent” të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Diplomatë të shumtë ndërkombëtare nuk u solidarizuan me këtë kushtëzim të ri të Kosovës për (mos)vazhdimin e procesit të dialogut, i cili edhe ashtu ka kohë që ndodhet në një ngërç pa shtegdalje. Ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, në një intervistë për gazetën Nacionale, i quajti këto kritere të reja “një mbi ngarkim të dialogut”, dhe që si të tilla nuk mund të prodhojnë diçka të dobishme edhe ashtu tashmë për këtë proces të vështirë të negociatave. E, Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher R. Hill, u shpreh shkurt “se është ndarë i kënaqur që pala serbe ishte e gatshme të bisedojë. Kurse, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajcak, i quajti “humbje kohe” kërkesa të tilla.
Në anën tjetër, shumica e analistëve vendorë dhe përfaqësues të opozitës dy kushtet e para të Kurtit i quajtën si të pa relevancë me përjashtim të të tretit.
Mirëpo, nëse analizohen me vëmendje disa deklarime të përfaqësueseve ndërkombëtarë është kërkesa për “dorëzimin e Millan Radoiçiqit” që më së paku ata e “preferojnë”. Është e vërtetë se shumica e tyre e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit nga grupet paramilitare të udhëhequr nga i njëjti person, por nuk është se kanë kërkuar ndonjëherë dorëzimin e tij në Kosovë. Ata vetëm kanë thënë se presin si është premtuar “që zoti z.Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi” Këtë gjë madje e tha edhe Ndihmës Sekretarit amerikan te Shtetit, James O’Brien. Ndonëse diplomati i lartë amerikan nuk la pa e kujtuar se “është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive”. Natyrisht, këtu duhet kujtuar , se Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, etj, gjenden në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Akuzat kanë të bëjnë me aktivitetin e tyre kriminal dhe korruptiv.
Në anën tjetër, këtu duhet veçuar faktin, se prokuroria e Beogradit e është duke hetuar atë për disa vepra tjera duke, “përfshirë trafikimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, por jo për përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë në sulmin e 24 shatorit, për çka edhe po e kërkohet nga Kosova. Dhe është ky proces gjyqësor që diplomatët ndërkombëtarë po insistojnë që të jetë sa më i korrekt dhe i shpejt. E këtu nuk duhet harruar faktin se janë me dhjetëra raporte profesionale ndërkombëtare që në vazhdimësi e kanë vënë në pah politizimin ekstrem të sistemit gjyqësor në Serbi, nën regjimin e Aleksandër Vuçiq-it. Por, shtrohet pyetja a mos Bashkësia Ndërkombëtare pikërisht me qëndrimin për ta dënuar Millan Radoiçiqin, sa më shpejt Serbi, a mos po e “amniston” atë për sulmin paramilitar mbi Kosovën?
Sidoqoftë, deri më tani veçanërisht Bashkimit Evropian, është arsyetuar se “Kosova ende s’e ka ndarë me BE-në raportin përfundimtar për hetimet e Banjskës”. Prandaj, ata nuk mund të kenë qëndrim tjetër për aq sa mungon ky dokument./ Arbëria TV