Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, MPJD njofton se temë diskutimi në takim ishin zgjerimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, mbështetja e Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siguria në rajon dhe bashkëpunimi në iniciativa rajonale që për qëllim kanë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
“Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla e falëndëroi Kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq për mbështetjen që deputetët slloven i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përkatësisht mbështetjen në arritjen e 82% të votës pro anëtarësimit nga Asambleja Parlamentare e KiE.
Ministrja Gërvalla në takim me kryeparlamentaren sllovene paraqiti të arriturat e Republikës së Kosovës në shumë fusha dhe mundësitë e mëdha të investimeve në vendin tonë, duke theksuar potencialin e madh të të rinjve.
Më tej Ministrja Gërvalla dhe Kryetarja Zupançiq riafirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar më tej bashkëpunimin bilateral dhe për të eksploruar mundësi të reja që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.