Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord të shkojnë në Bruksel javën e ardhshme për të përpunuar hapa konkretë për të zhbllokuar zbatimin e dialogut.
Ai tutje, në një shkrim në EEAS, tha se për herë të parë,BE-ja ka vendosur një kornizë të qartë për të ardhmen e procesit. Por sipas Borrellit, zbatimi i saj ende nuk ka filluar seriozisht dhe të dyja palët mbajnë përgjegjësi për mospërmbushjen e asaj që kishin premtuar se do të bënin më shumë se një vit më pare.
“Fatkeqësisht, takimi i Dialogut të kësaj jave nuk solli ndonjë përparim në zbatim. Diskutimet ishin të vështira si kurrë më parë dhe në fund nuk pati as një takim kokë më kokë mes Presidentit dhe Kryeministrit. Serbia ishte e gatshme të takohej, por Kosova më kërkoi që të kaloja një sërë parakushtesh. Aktualisht, qëndrimet e dy palëve mbeten shumë larg njëri-tjetrit. Megjithatë, puna do të vazhdojë: Kryenegociatorët e Palëve ranë dakord të vijnë në Bruksel javën e ardhshme për të përpunuar hapa konkretë për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes”, shprehet Borrell.
“Për herë të parë, ne kemi vendosur një kornizë të qartë për të ardhmen e procesit. Fatkeqësisht, zbatimi i tij ende nuk ka filluar seriozisht dhe të dyja palët mbajnë përgjegjësi për mos përmbushjen e asaj që premtuan të bënin më shumë se një vit më parë”.
“Në përmbledhje, ne kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit, por procesi mund të përparojë vetëm aq shpejt sa të dy palët të jenë gati për të ecur. Lehtësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye të kësaj dosjeje në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të tij nuk do të ndryshojnë. Angazhimet dhe obligimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen”.
“Të gjithë do të shikojnë ende vullnetin e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”.