Patatet e pjekura janë një element i rëndësishëm i shumë prej antipastave dhe pjatave shoqëruee që serviren nga amvisat shqiptare.
Ato janë shoqëruese të denja të gatimeve të mishit të viçit, pulës dhe peshkut.
Pjekja e patateve, sidomos me gjithë lëkurë, është një mënyrë shumë e mirë jo vetëm për të lartësuar shijen e tyre por edhe për ruajtjen e vlerave.
Patate Të Pjekura Me Limon Dhe Rozmarinë
Shija e patateve të pjekura mund të përmirësohet dhe pasurohet me erëza të ndryshme siç janë trumza dhe rozmarina.
Në këtë artikull të AgroWeb do të mësoni një recetë shumë të thjeshtë të patateve të furrës të pasuruara me limon, rozmarinë dhe hudhër.
Përbërësit
1 kg patate të ndara në gjysmë,
2 lugë gjelle me vaj ulliri,
Lëngu i një limoni,
3 thelbinj hudhër të grirë hollë,
1 lugë çaji me rozmarinë të thatë,
Kripë dhe piper sipas dëshirës,
2 lugë gjelle me gjalpë pa kripë,
Lëkura e një limoni të grirë hollë,
2 lugë gjelle me majdanoz të grirë,
2 degë rozmarine të freskët.
Përgatitja:
Ndizeni furrën në 200 °C.
Tavën ku do të piqni patatet, lyejeni lehtë me yndyrë, me pak vaj ulliri dhe gjalpë.
Vendosini patatet në rreshta dhe spërkatini me vaj ulliri, lëng limoni, hudhër, rozmarinë, kripë dhe piper.
Përziejini lehtë me lugë druri që të sigurohet shpërndarja e njëtrajtshme e erëzave, kripës dhe piperit.
Më pas, futeni tavën në furrë dhe piqini patatet për 25-30 minuta ose deri sa të marrin një ngjyrë të kuqërremtë me nuanca të arta dhe në sipërfaqe të jenë krokante.
Pasi t’i keni nxjerrë nga furra hidhni gjalpin dhe prisni deri sa të shkrihet plotësisht në sipërfaqen krokante të patateve të pjekura.
Përpara se t’i servirni në pjata, shtoni lëkurat e limonit, majdanozin dhe rozmarinën e freskët e cila do t’i japë pjatës një aromë dhe shije të mrekullueshme./AgroWeb.org