Përzgjedhësi i Italisë, Luciano Spalletti, ka fajësuar një klub italian për eliminimin e turpshëm të Italisë nga Euro 2024.
Faza e eliminimit në Euro 2024 nisi mbrëmjen e së shtunës, aty ku kampioni në fuqi Italia u përball me Zvicrën, një ndër kombëtaret që po shkaktojnë befasi deri më tani.
Zvicra arriti ta bëjë atë që shumë persona nuk e besuan, duke marrë një fitore me rezultat 2-0 në “Olympiastadion” të Berlinit,
Pas ndeshjes, Spalletti erdhi me një arsyetim qesharak duke u munduar të gjejë fajtorin për paraqitjen e ekipit të tij.
“Interi e fitoi Serie A dhe unë pastaj u sigurova se ata janë shumë profesionistë, një klub serioz sepse Simone Inzaghi e stërviti ekipin me një metodë të caktuar”.
“Unë isha në kontakt me mënyrën se si Interi stërvitej, por mbase në mënyrë të pandërgjegjshme kjo ndikoi tek lojtarët për shkak se e fituan ligën shumë herët”, ka thënë Spalletti.
65-vjeçari sugjeroi se pasi Interi fitoi ligën me triumfin ndaj rivalit lokal Milanit në prill, lojtarët e Interit që janë pjesë e kombëtares nuk u stërvitën aq fortë para Kampionatit Evropian.
Pesë lojtarë në kombëtaren e Italisë janë pjesë e kampionit të Serie A, teksa tre prej tyre e nisën nga minuta e parë ndaj Zvicrës.
Spalletti tani do të përballet me një presion jashtëzakonisht të madh sa i përket të ardhmes si përzgjedhës i Italisë, para ndeshjes hapëse të Ligës së Kombeve ndaj Francës në shtator.