Nazmi Gripshi pritet të zyrtarizohet te skuadra e re në orët e ardhshme, pas largimit nga Ballkani.
Mesfushori shqiptar ka qenë që katër vite pjesë e Ballkanit të Suharekës, derisa karrierën do ta vazhdoj jashtë Kosovës.
Telegrafi mëson se pas negociatave disa ditore, Gripshi ka arritur marrëveshje me gjigantin nga Kazakistani, FC Astana.
Marrëveshja është kryer tanimë dhe lojtari pritet të zyrtarizohet nga skuadra e tij e re në 48 orët e ardhshme.
Interesim të madh për Gripshin kishte edhe nga klubet kosovare si Drita, Prishtina e Suhareka, por edhe të tjera shqiptare si Gostivari, Shkëndija, Partizani e Egnatia.
Megjithatë lojtari ishte i vendosur të largohet nga futbolli shqiptar dhe karrierën ta vazhdoj në një kampionat më të fortë.
Për lojtarin oferta kishte edhe nga Turqia, Rumania e Polonia, por oferta nga Astana ka qenë shumë më e mirë dhe ai karrierën do ta vazhdoj në këtë klub.
26-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 31 ndeshje në Superligë ku ka shënuar 15 gola dhe ka asistuar në pesë të tjerë. Gjithsesi ai ka edhe 19 ndeshje të tjera në garat si Liga e Konferencës, kualifikimet për Ligën e Kampionëve, Kupa dhe Superkupa e Kosovës ku ka edhe pesë gola të tjerë dhe tre asistime.