Është e para e shtetit dhe pozita e saj i jep shumë të drejta, megjithatë Vjosa Osmani nuk po i përdorë të gjitha.
Asaj i lejohet amnistia e të burgosurve, emrat e të cilëve i vijnë përmes Ministrisë së Drejtësisë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas rekomandimeve që i jep komisioni ad-hoc për shqyrtimin e kërkesave të të burgosurve.
Numri i tyre është dyshifror këtë vit.
Që nga marrja e mandatit, Osmani nuk ka liruar nga burgu asnjë person.
Këtë po e konsideron shpërdorim të një të drejte kushtetuese, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
“Është abuzim me të drejtat e të privuarve nga liria, që të përfitojnë nga sjellja e mirë, realisht nuk është normale, askush nuk mund të e arsyetoj që nga 500 kërkesa që i bëjnë të burgosurit të mos gjindet asnjë i vetë”, ka thënë Behxhet Shala nga KMDLNJ.
Kjo sipas Shalës, i vë edhe në pozitë të palakmueshme edhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues.
“Ia vështirëson punën edhe SHKK-së sepse ata nuk kanë si të arsyetohen para burgosurve për sjelljen e mirë të tyre që iu premtojnë se mund të përfitojnë diçka, në pozitë të palakmueshme dalin edhe ata që monitorojnë sjelljet e të burgosurve”, ka thënë Shala.
Dukagjini që nga e mërkura e ka dërguar pyetje edhe në presidencë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje se pse Presidentja Vjosa Osmani nuk po e shfrytëzon këtë të drejtë.
/Dukagjini