Medium i njohur britanik “BBC” ka shkruar një artikull relativisht të gjatë në lidhje me mesfushorin e Zvicrës, Granit Xhaka.
I titulluar “A mund të frymëzojë Zvicrën sezoni gati perfekt i Xhakës?”, BBC ka shkruar se ky sezon nuk ka mundur të shkojë më mirë për Xhakën, transmeton Nacionale.
“Ky sezon nuk mund të kishte shkuar shumë më mirë për Granit Xhakën dhe tani është mundësia perfekte për ta udhëhequr vendin e tij drejt suksesit në Euro 2024.
Pas një sezoni të pamposhtur vendas me Bayer Leverkusen – duke rezultuar në titullin e parë të Bundesligës në historinë e tyre 120-vjeçare – ai ka mbërritur në Euro 2024 me një besim të lartë” – ka shkruar BBC.
Tutje, në artikull diskutohet edhe për gjurmët që ka lënë Xhaka në turne, duke marrë çmimet e lojtarit të ndeshjes në fitoren hapëse të Zvicrës ndaj Hungarisë dhe barazimin e tyre vendimtar 1-1 me Gjermaninë.
Megjithatë, pavarësisht se është mbajtësi i rekordit të të gjitha kohërave për paraqitje për Zvicrën, karriera ndërkombëtare e Xhakës ka qenë përçarëse me më shumë ulje sesa ngritje.
Me një ndeshje kundër Italisë që do të zhvillohet sot me fillim nga ora 18:00, pritshmëritë janë të larta në Zvicër dhe ata po kërkojnë që Xhaka të udhëheq skuadrën e tij drejt fitores dhe të përmbushë potencialin që ka treguar deri tani.
“Suksesi sjell besim. Ka qenë një sfidë e rëndësishme – ajo që duhej të kisha këtë sezon [në Bayer Leverkusen],” tha Xhaka në fillim të turneut.
“Është kënaqësi të punoj atje çdo ditë si futbollist. Nuk ka qenë një sezon perfekt sepse humbëm finalen e Europa League. Por tani është një sfidë e re” – tha tutje Xhaka.