Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Qytetarja e falënderon publiksht mjekun Basri Lenjani: Mjekët e tillë janë heronj të heshtur si rëndom janë heronjtë e vërtetë

Qytetarja e falënderon publiksht mjekun Basri Lenjani: Mjekët e tillë janë heronj të heshtur si rëndom janë heronjtë e vërtetë

 Nuk janë të pakta falënderimet që marrin mjekët për punën e tyre. Një qytetare A.B ka shprehur mirënjohjen për stafin shëndetësor duke falënderuar ata për punën dhe përkushtimin që kanë duke mos u fokusuar në problemet që ka sistemi shëndetësor.

Pas përvojës së saj në spitalet tona ajo përmes një postimi në facebook ka folur për këtë përvojë duke shprehur mirënjohje për stafin shëndetësor. Në fokus ajo ka falënderuar doktor Basri Lenjanin.

Doktor Basri Lenjani, një emër i panjohur për të më parë, ishte i njohur për shumë të tjerë si modeli i mjekut humanist dhe profesionist deri në detaje.

Kjo ndodhi edhe në rastin e mikut të saj, profesor Fatos Kola, një profesor nga Tirana, i cili që dy muaj në Prishtinë po merr trajtime te onkologjiku. Atë ditë, ndërsa e shoqëronte te emergjenca për një ekzaminim urologjik dhe nefrologjik, e pyeti një mjek për shërbimet e emergjencës. Burri që doli se ishte mjek jo vetëm i shoqëroi, por u mor vetë me çdo detaj të ekzaminimit të profesor Fatosit.

Gjatë kohës që ai merrej me ekzaminimet e profesor Fatosit, e kishin lajmëruar për një rast vdekjeje, por pa treguar, priti derisa përfundoi gjithçka dhe pastaj u nis për varrim. Kur e befasuar nga sjellja e tij u mundua t’i shprehë mirënjohjen dhe falënderimet e thella, ai u përgjigj: “Asnjë falënderim për punën time! Sistemi shëndetësor duhet të jetë i tillë: unë dhe gjithë kolegët e mi ta bëjmë punën tonë për secilin pacient që troket në dyert tona, sepse kjo është detyra jonë e jo pse ndërhyn dikush për ta trajtuar më mirë pacientin.”

Postimi i plotë:

Dy muajt e fundit më ka ra shumë të endem spitaleve e të përballem me sistemin tonë të shëndetësisë. Ka probleme? Sa të duash. Ka edhe personel të pandërgjegjshëm? Edhe të tillë, fatkeqësisht ka plot. Por unê sot nuk do të shkruaja për ta, kështu dhe ashtu mediet dhe opinioni i kanë në spikamë e mezi ku presin t’u gjuhen, me dhe pa të drejtë.

Sot, dua të shkruaj për atë pjesën e shëndetshme që më ra të takoj në sistemin shëndetësor e që më mrekulloi e më bëri me shpresë se megjithatë në këtë vend gjërat mund të ecin për mirë. Me njerëz të mirë e profesionistë të nderuar.

Një prej tyre është doktor Basri Lenjani, për mua deri atë ditë emër i panjohur, por për shumë të tjerë i njohur si modeli i mjekut humanist e profesionist deri në skrupulitet. Këtë e mësova më pas, kur me kolegët e RTK-së bisedoja e befasuar për mirë nga trajtimi që doktor Basriu na bëri në emergjencë, pjesa dërrmuese e tyre u shprehën me superlativa për të e secili prej tyre më tregoi nga një përvojë të ngjashme si e imja me të. Të gjithë vinin në pah energjinë e tij pozitive, komunikimin e mrekullueshëm dhe profesionalizmin e spikatur. Kur “bije” në dorën e tij nuk dilje pa u paisur me një dosje të plotë të gjendjes shëndetësore prej nga ku pastaj çdo mjek specialist e kishte më të lehtë të vazhdonte më tej punën e tij. Kjo ndodhi edhe në rastin e mikut tim, profesorit të nderuar nga Tirana, Fatos Kola i cili që dy muaj në Prishtinë po merr trajtime te onkologjiku. Atë ditë, ndërsa e shoqëroja te emergjenca profesor Fatosin te cilit i duhej një egzaminim urologjik dhe nefrologjik, te dera e emergjencës e cila dukej se ishte në proces renovimi, pamë një burrë me mantel të bardhë, ndalova dhe e pyeta për shërbimet e emergjencës, doja të dija a vazhdonin të jepeshim të plota, burri që doli se ishte mjek jo vetëm na shoqëroi, por u mor vetë (pa ja kërkuar) me çdo detaj të egzaminimit të profesor Fatosit. Ky i fundit as që arrinte ta besonte se po i ndodhte ai lloj trajtimi. Pas një egzaminimi të detajuar (analiza, exo etj) u sollën për konsultë me pacientin edhe 5 mjekë (2 urologë, nefrologia, kardiologu dhe hematologia). Ky ishte veprimi përmbyllës që kompletoi dosjen e profesorit. Vetëm atëherë e morëm vesh emrin e doktorit që e mundësoi gjithë këtë trajtim dinjitoz, ishte Basri Lenjani, të cilin s’dinim as si ta falenderonim, ishim të pafjalë.

Të pafjalë para aktit të tij human e profesional.

Dhe të mendosh që gjatë kohës që ai merrej me egzaminimet e profesor Fatosit e kishin lajmëruar për një rast vdekje, pa na treguar priti derisa i kryem të gjitha e pastaj u nis për varrim.

Kur ende e befasuar nga sjellja e tij u mundova t’i shpreh disi mirënjohjen dhe falenderimet tona të thella ai mu përgjigj: asnjë falenderim për punën time! Për mua personalisht sistemi shëndetësor duhet të jetë i tillë: unë dhe gjithë kolegët e mi ta bëjmë punën tonë për secilin pacient që troket në dyert tona, sepse kjo është detyra jonë e jo pse ndërhyn dikush për ta trajtuar më mirë pacientin.

Doktori nuk e di për këtë postim, as për këto dy foto që ia bëra vjedhurazi kur ai merrej me egzaminimet e profesor Fatosit.

Ky është rrëfimi im për humanitetin dhe profesionalizmin e dr Basri Lenjanit, modeli i mjekut të përkushtuar e dinjitoz.

E di që nuk është i vetmi, as Mohikani i fundit në sistemin tonë shëndetësor, madje mendoj se mjekët si ai janë shumicë, vetëm se, punën e tyre e kryejnë në heshtje, pa zhurmë e pa trumpetime, janë heronj të heshtur si rëndom janë heronjtë e vërtetë.

Ky ishte falenderimi im për doktor Basriun.

E për doktor Ekrem Hysenin, i cili e trajton profesor Fatosin do të shkruaj një herë tjetër.

Deri atëherë, një FALENDERIM i madh për doktor Basriun!

Faleminderit doktor!

Faleminderit që na treguat modelin e mjekut profesionist e të përkushtuar. /Gazeta Shneta/

Powered by WordPress