Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > Zbulimi i hershëm i autizmit: Një hulumtim i ri nga psikologët italianë

Zbulimi i hershëm i autizmit: Një hulumtim i ri nga psikologët italianë

Një ekip psikologësh nga Universiteti i Milano-Bicoça dhe Instituti Shkencor IRÇS E. Medea, në Njësinë e Psikopatologjisë së Fëmijëve në Itali, ka zbuluar një tregues që mund të ndihmojë në zbulimin e çrregullimit të spektrit të autizmit te fëmijët deri në moshën 7 muajsh.

Në një studim të publikuar në PLoS ONE, ekipi shkencor shqyrtoi fëmijët që ishin në rrezik për zhvillimin e çrregullimit dhe i krahasoi rezultatet me fëmijët që nuk ishin në rrezik. Studiuesit i ndoqën fëmijët për dy vjet për të parë nëse ndonjëri prej tyre zhvilloi këtë çrregullim, shkruan NIH, transmeton Gazeta Shneta.

Diagnoza e autizmit te fëmijët nën moshën tre vjeç është e vështirë për shkak të mungesës së aftësive të komunikimit dhe të të folurit. Në studim u përfshinë 19 foshnje më të vogla se 7 muaj dhe prindërit e tyre. Të gjitha këto foshnje kishin vëllezër e motra më të mëdhenj të diagnostikuar me autizëm, duke i vendosur ata në një grup me rrezik të lartë. Për krahasim, 19 foshnje të tjera pa rrezik të zhvillimit të autizmit gjithashtu morën pjesë në hulumtim.

Foshnjave iu dhanë teste statistikore të të mësuarit dhe u ndoqën gjatë dy viteve për të parë nëse do të zhvillonin çrregullime të spektrit të autizmit. Studiuesit kryen një seri testesh që përfshinin shfaqjen e fotografive dhe vëzhgimin e reagimeve të foshnjave ndaj modeleve të ngjashme vizuale.

Rezultatet treguan se fëmijët me rrezik të lartë për zhvillimin e autizmit kishin vështirësi më të mëdha me testet vizuale specifike. Ata me rezultatet më të dobëta kishin më shumë gjasa të zhvillonin autizmin më vonë.

Ekipi hulumtues thekson se këto gjetje janë paraprake dhe nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar se ky lloj testimi statistikor mund të përdoret për diagnostikimin e autizmit te foshnjat.

Një tjetër studim i ri tregon se hapësirat e mbushura me lëngje rreth enëve të gjakut të trurit kanë nevojë për “pastrimin” e duhur të mbetjeve çdo disa orë. Kur kjo dështon të ndodhë, rreziku i fëmijës për autizëm duket se rritet, sipas një ekipi nga Universiteti i Karolinës së Veriut.

Megjithëse është ende herët për të thënë se problemet brenda këtyre hapësirave “perivaskulare” shkaktojnë autizëm, ato duket se janë një tregues i hershëm për gjendjen. Këto studime të reja mund të ofrojnë drejtime të rëndësishme për kërkime të mëtejshme dhe për zhvillimin e metodave të reja diagnostikuese.

Powered by WordPress