Shkruan: Afrim Kasolli
Nëse ka diçka që e ka veçuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, si në opozite, apo dhe në pushtet, në raport me dialogun me Serbinë, ka qenë formulimi i shpeshtë i kushteve për këtë proces, por pa kaluar shumë kohë edhe braktisja e tyre.
Gjatë kohës sa ishte në opozitë, lideri i Vetëvendosjes e kishte kundërshtuar me të gjitha mjetet formatin aktual të negociatave që zhvillohej në Bruksel, sepse ai ishte një dialog pa parime dhe pa asnjë kusht ndaj Serbisë. Sipas tij, nuk mund të ketë dialog, përderisa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk kërkon falje për krimet e kryera, nuk na i dorëzon kriminelet e luftës, nuk i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë, etj.
Mirëpo, më t’i fituar zgjedhjet, secila thuajse prej këtyre kërkesave si parakusht për këtë proces i mbuloi pluhuri i harresës. Tani nga pozita e kryeministrit ai filloi të parashtronte kushte të reja. Është e njohur kërkesa e tij për nënshkrimin e një deklarate të paqes ndërmjet dy liderëve, si hap i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut. Sipas të parit të Qeverisë së Kosovës, Kosova dhe Serbia “duhet të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”. Po ashtu ai pat prezantuar një plan gjashtë pikësh se si duhet të ishte marrëveshja ndërmjet Kosovë dhe Serbisë. Pjesë integrale e këtij plani ishte edhe krijimi nga “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në” e deri te, largimi nga pozita për çështjen e të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, të z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999 ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”.
Megjithatë, ky qëndrim “kokëfortë” politik për të ardhmen e dialogut nuk u bë pengesë për dakordimin e asaj që njihet si Marrëveshja bazike e Brukselit dhe aneksi i zbatimit të Ohrit, dhe në të cilën mungonte pikërisht njohja reciproke.
Por duke qenë se ky dokument nuk u nënshkrua nga asnjëra palë, për shkak të refuzimit të presidentit serb për ta bërë një gjë të tillë, atëherë sipas Kurtit, kjo marrëveshje nuk mund konsiderohej valide deri sa mungonte nënshkrimi. Kështu, ky kriter i ri u bë edhe njëri nga kushtet e reja të kryeministrit të Kosovës. Sidoqoftë, kjo nuk e pengoi Bashkimin Evropian që ta konsideronte si një marrëveshje obligative ligjore për të dy vendet kwte dokument edhe pse as nuk ishte e nënshkruar dhe miratuar nga parlamentet si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës. Madje, sipas drejtuesit për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tash e tutje të dy shtetet e kishin lidhur fatin agjendës së integrimeve evropiane me progresin ne zbatimin e pikave të këtij dokumenti. Në këtë rast, diplomatët e angazhuar në këtë proces i kërkonin Kosovës me ngulm që ta zbatonte themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurse sipas Kryeministrit Kurti kusht për zbatimin e këtij entiteti ishte implementimi i marrëveshjes në tërësi.
Ndërkohë, deri sa vazhdonte kjo dinamikë, tensionet në pjesën veriore u agravuan tej mase, dhe Kosova u vendos nën masa sanksionuese si palë përgjegjëse për përshkallëzimin tyre. Në këtë mënyrë, në vend të kushtëzimit të Serbisë, siç e kërkonte Kurti, faktikisht kushte të reja u vendosën mbi Kosovën. Kurse pas sulmit të 24 shtatorit nga grupet paramilitare nga Serbia, përfaqësuesit kryesorë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Kojufca u zotuan një zëri se nuk mund të vazhdoj dialogu me Beogradin pa sanksionimin ndërkombëtar të Serbisë. Madje, Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë ku mes tjerash që të zhvillohej “një hetim ndërkombëtarë me qëllim zbardhjen e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e kampeve stërvitore të grupeve terroriste në Serbi”.
Sidoqoftë, asnjëra nga këto kërkesa nuk u plotësuan. Palët u rikthen në procesin e dialogut në Buksel, me 26 qershor, por pa u takuar në mënyrë trialterale, për shkak të disa kushteve të reja që ka parashtruar kryeministri Kurti. Ato përfshin “formalizmin i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; Tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”.
Sa do t’i kontribuojnë këto kushte të reja procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, apo se si do të ndikojnë ato në (mos) suspendimin e masave sanksionuese ndaj Kosovës mbetet të shihet?. Bashkimi Evropian është dakorduar për heqje graduale dhe të pjesshme të tyre. Por më kryesorja sa do t’u qëndrojë besnik atyre edhe vetë Kurti, apo ashtu sikur se të tjerat paraprakisht, edhe këto do të jenë vetëm një episod kalimtar në serinë e konstante të betejës politike? /TV Arbëria