Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Yje > Paris Hilton rrëfen para Kongresit amerikan: Jam abuzuar në qendrën strehimore, prindërit gënjeheshin nga stafi

Paris Hilton rrëfen para Kongresit amerikan: Jam abuzuar në qendrën strehimore, prindërit gënjeheshin nga stafi

Trashëgimtarja dhe biznesmenja amerikane, Paris Hilton, ka folur para një komiteti të Kongresit amerikan për abuzimet që ajo përjetoi në një qendër për strehimin e të rinjve, duke bërë thirrje për ndryshim tek qendrat që marrin përsipër trajtimin e mirëqenies së të rinjve.

Hilton foli për kohën kur kishte qëndruar në një institucion privat të të rinjve në Utah kur ishte adoleshente, shkruan BBC.

Ajo tha se ishte “ushqyer me forcë me medikamente e gjithashtu ishte abuzuar seksualisht nga stafi”.

Dëshmia e saj hedh dritë mbi të ashtuquajturën “industria e trazuar e adoleshentëve”.

Derisa disa fëmijë strehohen tek të afërmit ose familjet kujdestare, të tjerët dërgohen në qendra trajtimi që janë në thelb shtëpi grupore për fëmijë – disa prej të cilëve kanë nevoja komplekse mjekësore ose të sjelljes.

Hilton, akuzoi industrinë që fiton miliarda dollarë se është më i interesuar të fitojë para se sa të mbrojë dhe të kujdeset për fëmijët e cenuar, që industria është përgjegjëse.

Trashëgimtarja është avokuese e hapur për fëmijët në institucionet rinore, si dhe ata në sistemin e kujdestarisë. Ajo ka folur edhe më herët për përvojën e saj përmes një libri, dokumentari dhe intervistash.

Hilton thotë se kur ishte 16 vjeç, të huajt e morën nga shtrati në mes të natës. Notat e saj në shkollë kishin rënë dhe prindërit e saj ishin të shqetësuar për sjelljen e saj.

Por ata “nuk ia kishin idenë” se si ishte në të vërtetë objekti dhe “vazhdimisht po gënjeheshin dhe manipuloheshin nga stafi”, i tha Hilton komitetit në Kongres.

“Ata thjesht menduan se do të ishte një shkollë normale me konvikt”, tha ajo. “Dhe kur arrita atje, nuk kishte terapi. Tërë kohën na kanë bërtitur e keqtrajtuar”.

I gjithë komunikimi i saj me botën e jashtme ishte i kontrolluar dhe gjithmonë ishte dikush aty kur fliste me prindërit e saj në telefon, dëshmoi Hilton.

“Pra, nëse do të thosha qoftë edhe një gjë negative për objektin, ata menjëherë do të mbyllnin telefonin dhe më pas do të ndëshkohesha dhe ose do të rrihesha fizikisht ose do të hidhesha në izolim”, tha ajo.

Hilton tha se trajtimi “çnjerëzor” që ajo duroi do të ndikojë në të për pjesën tjetër të jetës së saj.

Powered by WordPress