Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Miratohet kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit për t’i përjashtuar disa prova në lidhje me një dëshmitar

Miratohet kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit për t’i përjashtuar disa prova në lidhje me një dëshmitar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është miratuar kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit që disa prova në lidhje me një dëshmitar të përjashtohen nga procesi gjyqësor pasi trupi gjykues kishte konstatuar se kishin efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin.

Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore të DhSK-së, nga zëdhënësi i saj, Michael Doyle.

“Në çështjen Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, më 19 qershor, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Mbrojtjes së Selimit për t’i përjashtuar nga procesi disa prova në lidhje me një dëshmitar. Trupi Gjykues konstatoi se provat përkatëse kishin vlerë provuese të kufizuar dhe kanë efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin”, tha Doyle.

Ai tha se trupi gjykues kishte udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të mos bënte pyetje në lidhje me këtë provë si dhe e paralajmëroi dëshmitarin që të mos flas për të gjatë dhënies së dëshmisë.

“Gjithashtu, Trupi Gjykues udhëzoi Prokurorinë të mos bënte pyetje në lidhje me këtë provë gjatë dhënies së dëshmisë prej dëshmitarit dhe të paralajmëronte dëshmitarin të mos fliste për të gjatë dhënies së dëshmisë”, tha Doyle, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zëdhënësi i DhSK-së njoftoi se në të njëjtën çështje gjyqësore është miratuar kërkesa e ZPS-së që dy dëshmitar të dëshmojnë përmes video-lidhjes e që njëri ishte për shkaqe shëndetësore dhe tjetri për arsye sigurie.

“Më 20 qershor, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të lejuar dy dëshmitarë të japin dëshmi nëpërmjet video-lidhjes. Njëri prej dëshmitarëve nuk mund të udhëtojë për shkaqe shëndetësore, ndërsa për dëshmitarin tjetër Prokuroria ngriti shqetësime për shkaqe sigurie. Trupi Gjykues theksoi se palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve njësoj sikur të ishin në sallë të gjyqit dhe ekipet e Mbrojtjes nuk paraqitën kundërshtime ndaj kërkesës.  Trupi Gjykues theksoi gjithashtu se dëshmia nëpërmjet video-lidhjes mund të çojë në proces gjyqësor më të shpejtë”, tha ai.

Michael Doyle tregoi edhe për mbarëvajtjen e seancave gjatë kësaj jave në këtë çështje gjyqësore si dhe për kërkesën e dëshmitarit Fondaj për përfaqësim ligjor.

“Seancat në këtë çështje gjyqësore rifilluan këtë javë me dëshminë e dëshmitarit të 73-të të Prokurorisë. Sipas përmbledhjes së Prokurorisë, dëshmitari, Kurtesh Fondaj, është ish-ushtarak i UÇK-së i Zonës Operative të Pashtrikut. Z. Fondaj dha dëshmi kryesisht në seancë publike dhe pa masa mbrojtëse. Të mërkurën paradite, në fillim të seancës, dëshmitari Kurtesh Fondaj kërkoi të kishte përfaqësim ligjor, pas pyetjeve të Trupit Gjykues një ditë më parë”, tha ai.

Doyle tregoi se kjo kërkesë nuk u miratua pasi sipas trupit gjykues, dëshmitarëve iu ofrohet avokat vetëm nëse ka shqetësime në lidhje me vetëinkriminim dhe se ky rast nuk ishte i kësaj natyre.

Tutje, ai shtoi se seancat e radhës në këtë çështje gjyqësore pritet të fillojnë më 1 korrik.

“Të mërkurën pasdite dha dëshmi dëshmitari i 74-t i Prokurorisë, që dëshmoi në seancë private. Pas kësaj, seancat përfunduan për këtë javë. Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është caktuar për të hënën, 1 korrik, duke filluar në orën 10:00 paradite”, tha ai.

Ndërsa, në lidhje me çështjen gjyqësore Januzi, Bahtjari dhe Shala është marrë vendim që të zgjatet afati për dorëzimin e dosjeve gjyqësore paraprake nga ekipet e mbrojtjes

“Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, më 20 qershor, Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e z. Januzi për zgjatje të mëtejshme të afatit për dorëzimin e dosjeve gjyqësore paraprake nga ekipet e Mbrojtjes. Gjykatësja vendosi se dosjet gjyqësore paraprake duhet të dorëzohen vetëm pasi ajo të lëshojë vendimin mbi kërkesën e Prokurorisë për ndryshim të aktakuzës në këtë çështje gjyqësore. Gjykatësja e Procedurës Paraprake urdhëroi që dosjet gjyqësore paraprake të Mbrojtjes të dorëzohen brenda shtatë ditësh nga lëshimi i vendimit mbi kërkesën e Prokurorisë për ndryshim të aktakuzës. Gjykatësja e Procedurës Paraprake vendosi gjithashtu se data paraprake për t’ia kaluar dosjen gjyqësore trupit gjykues do të caktohet 14 ditë pas vendimit mbi kërkesën e Prokurorisë.

Zëdhënësi i DhSK-së njoftoi gjithashtu se DhSK-ja ka publikuar raportin vjetor lidhur me punën e Gjykatës gjatë vitit 2023 i cili është në dispozicion për publikun në të tri gjuhet zyrtare.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Powered by WordPress