Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Pse (kryesisht) je superior ndaj miut?!

Pse (kryesisht) je superior ndaj miut?!

Për librin Rat City të Jon Adamsit dhe Edmund Ramsdenit – një histori e shkëlqyeshme shkencore që na flet për ndikimin e keq që pati studimi pionier i John B Calhounit.

Nga: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Është një shaka e vazhdueshme mes shkencëtarëve se shumica e titujve rreth përparimeve shëndetësore duhet të kenë prapashtesën me fjalët “te miushët”: “Vitamina D rregullon imunitetin ndaj kancerit”? Sigurisht – te miushët. Sepse, ka shumë ndërlidhje mes miushit dhe njeriut, dhe jo vetëm në mjekësi, por edhe në psikologji dhe në sociologji – siç dëshmon rrëfimi magjepsës i Jon Adamsit dhe Edmund Ramsdenit.

Miushët dhe vëllezërit e tyre më inteligjentë, miu i gjirizit, janë përdorur prej kohësh si përfaqësues të njerëzve në laborator. Psikologu famëkeq BF Skinner shpiku “dhomën e kondicionimit operant”, ose atë që u bë e njohur (për inatin e tij) si “kutia e Skinnerit”: në të, një mi ose një pëllumb shtypte një levë për të marrë një sasi ushqimi, ose u inkurajua të lëvizte nga njëra anë e kutisë në tjetrën teksa muret ngroheshin. Nga rrëfimet e Skinnerit për eksperimentet e tilla, fituam konceptin e “përforcimit pozitiv” të sjelljes.

Heroi i Qytetit të minjve të gjirizit [Rat City], John B Calhoun, ishte shkencëtar amerikan i cili mendonte se eksperimente e tilla ishin shumë të kufizuara për të na treguar më shumë për realitetin. Në vend të kësaj, nga viti 1947 e deri në vitin 1982 ai e ndërtoi një seri gjithnjë e më të komplikuar të komplekseve të banimit prej druri (të cilat më vonë i quajti “universe”), për miushët dhe për minjtë e gjirizit, të cilat përmbanin dhjetëra apo edhe qindra kafshë, ndërsa regjistroi ngritjen dhe rënien e gjithë shoqërisë së brejtësve. Rezultatet e tij u bënë të famshme dhe kontribuuan në panikun e mesit të shekullit rreth mbipopullimit global dhe degradimit social.

Pse minjtë? Shumë prej tyre janë në vende të gabuara, kështu që ishin “dëmtues” urbanë. Nuk bëri punë helmimi i një blloku të tërë të qytetit që kishte minj gjirizi, sepse gjithçka që bëri kjo ishte inkurajimi i kolonive fqinje për të zgjeruar territorin për të mbushur boshllëkun. Shumë njerëz supozuan se prevalenca e minjve në rrethet e varfra dëshmoi se njerëzit e varfër ishin të pisët, por siç treguan Calhoun dhe të tjerët, njerëzit i kishin minjtë problem sepse kishin probleme me cilësinë e strehimit. Prishja e lagjeve të varfra dhe kalimi i të varfërve në ndërtesat shumëkatëshe prej betoni, nuk ua bëri jetën më të mirë.

Në të vërtetë, puna e Calhounit dukej se dëshmonte se pse premtimi i rrokaqiejve ishte i rremë. Teksa rritej popullsia e qyteteve të tij të minjve të gjirizit, kafshët u bënë më me stres. E quajmë këtë “mbipopullim”, por siç zbuloi Calhoun, arsyeja e shqetësimit të minjve nuk ishte mungesa e hapësirës fizike për secilën kafshë, por kontakti i vazhdueshëm i padëshiruar shoqëror. Individët nuk mund të formonin më grupe të vogla, por vuanin nga rritja e vazhdueshme e adrenalinës nga gjithë të tjerët gjatë gjithë kohës.

Pasi kolonitë e minjve kishin arritur këtë prag të mbipopullimit, struktura shoqërore tërësisht u shpërbë. Shpërthyen luftimet e egra dhe nënat e ndalën kujdesin për të vegjlit. Disa minj thjesht u larguan plotësisht nga kontaktet sociale dhe seksuale dhe e kaluan gjithë kohën duke u kujdesur për veten. U quajtën “Të bukurit”, por nuk lanë pasardhës. Më në fund, e gjithë kolonia ngordhi.

Edhe te njerëzit (ose kështu menduan njerëzit), zgjedhja midis izolimit të plotë ose takimeve të rastësishme stresuese – si në blloqet e reja të rrokaqiejve të cilët eliminuan fqinjësinë në shkallë të vogël të shtëpive me tarraca – do të krijonte gjithashtu stres kronik. Psikiatri anglez Humphry Osmond ridizajnoi me sukses disa spitale mendore amerikane, larg modelit mbizotërues të hapësirave të mëdha komunale dhe me dhoma të vogla, duke krijuar shumëllojshmëri të qosheve të rehatshme të ndërmjetme dhe kështu pacientë shumë më të lumtur.

Megjithatë, një pasojë më e keqe e punës së Calhounit ishte vulgarizimi i ideve të tij nga ata që i përdorën ato për të përhapur një mesazh politik pseudoshkencor. I tillë ishte Desmond Morrisi i cili shpejt e shpejt për vetëm disa javë, më 1966 e ka shkruar librin Majmuni cullak [The Naked Ape]. “Tashmë e dimë se nëse popullsia jonë vazhdon të rritet me ritmin e tmerrshëm aktual”, shkroi Morris, “në mënyrë dramatike do të rritet agresiviteti i pakontrollueshëm. Kjo më në fund është vërtetuar me eksperimentet laboratorike”. Këtu, Morris nuk shtoi – siç duhej të kishte bërë – frazën e famshme: “te miushët”.

Adamsi dhe Ramsdeni tregojnë se si pohimet e tilla tepër të sigurta kanë luajtur rol në ankthin mbi krimin dhe trazirat civile në Amerikën e viteve 1960, duke i paraqitur ato fenomene thjesht si “refleks biologjik ndaj numrit në rritje të popullsisë”, dhe kështu duke e zhvendosur fajin “nga politika bashkëkohore te historia evolucionare”. Në fund të fundit, nëse konflikti i tillë përcaktohet nga natyrat tona shtazore, pse përpiqemi ta bëjmë jetën më të mirë për njerëzit? Pse të mos ketë më pak njerëz? Kështu pëshpëriti edhe një herë kureshtari eugjenik.

Siç tashmë e dimë, bomba e popullsisë nuk shpërtheu në mënyrën e parashikuar apokaliptike. Dhe, nëse sot ndihemi si minj ose minj të stresuar, kjo nuk është sepse jemi shumë prej nesh, por sepse e kemi harruar mësimin e vërtetë të punës së Calhounit: se rëndësi ka dizajni njerëzor i banesave dhe hapësirave të tjera. Për shembull, u falënderova, në fund të këtij libri të shkëlqyer, pse për të nuk shkrova nga hapësira e madhe e ndarë me paravane.

Powered by WordPress