Sulmi terrorist në Banjskë ishte temë që u trajtua në një nga konferencat për media të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Stano tha se Qeveria e Kosovës “ende nuk e ka prezantuar një raport të plotë hetimit”.
E kur kanë kaluar nëntë muaj nga kjo ngjarje tragjike e 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, organet e rendit kanë ndarë disa të dhëna lidhur me hetimet e zhvilluara deri më tani.
Policia në një përgjigje për Klankosova.tv tha se janë identifikuar 48 persona të dyshuar lidhur me rastin.
“Përfshirë në këte numër edhe tre personat e neutralizuar gjatë operacionit kundër terrorizmit të datës 24 Shtator 2023. Policia e Kosovës ka ngritur kallëzime penale kundër 45 personave (duke përfshirë edhe ndaj tre personave qe gjenden nën masën e paraburgimit)”, thuhet në përgjigjen e policisë për Klankosova.
Personat në fjalë dyshohet se kanë kryer disa vepra penale si:
– Vrasje e rëndë;
-Sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës;
– Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës;
– Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese;
– Kryerja e veprës terroriste;
– Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës;
– Shpëlarja e parave;
– Financim i terrorizmit.
Tutje thuhet se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale deri tani janë ngritur urdhër-arreste vendore kundër 41 personave të dyshuar, si dhe 39 urdhër- arreste ndërkombëtare.
“Të gjitha të gjeturat gjate ekzaminimit të vendit te ngjarjes, deshmive të sekuestruara, por edhe gjatë analizimit dhe ekzaminimit të dëshmive, së bashku me të gjitha shkresat e lëndës dhe dokumenteve përcjellëse janë vënë me kohe në dispozicion të Prokurorisë Speciale”.
Me qellim të zhvillimit të hetimeve të plota, në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka qenë e nevojshme që disa prova të dërgohen jashtë vendit, për te cilat ekzaminime ende nuk kemi pranuar përgjigjet.