Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Beteja juridike e avokatit kundër frymës populiste te pushtetit dhe LDK-së

Beteja juridike e avokatit kundër frymës populiste te pushtetit dhe LDK-së

Shkruan: Afrim Kasolli

Pas një shqyrtimi me shumë se një vjet dje Gjykata Kushtetuese e shpalli verdiktin e saj për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky institucion në vendimin e tij final i ka shpallur katër nene të këtij ligji në kundërshtim me Kushtetutën, por duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve dhe pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës, Ligji për Byronë Shtetërore shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

Ashtu siç pritej, një aktgjykim i tillë shkaktoi një reagim të madh në publik. Madje thuajse u lanë nën hije dy vendime tjera që u morën nga gardiani i kushtetutës pak para këtij vendimi, sikur ai për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ai për Ligjin për pagën minimale, të cilën e kontestuan deputetët e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Menjëherë, pas kumtimit të lajmit për rastin e parë, me një gjuhë tërësisht populiste reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo shkroi se “situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”. Pra, sipas përgjegjëses kryesore të pushtetit për drejtësi, ky vendim është një lloj komploti i strukturave të “regjimit të vjetër” kundër “drejtësisë popullore”.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, këtë vendim e quajti si “fitore të sundimit të ligjit mbi tendencën për frikësim e shantazh nga pushteti”. Kurse përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike të Kosovës, avokati Fatoni Fetahu në një prononcim për TV Arbëria, deklaroi “se Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është konfirmim i qartë dhe përfundimtar se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme u hartua në tërësi në mënyrë jo kushtetuese”

Ndërkohë, tema kryesore që i veçoi diskutimet publike ishte pyetja sa ky dështim juridik i pushtetit a reflekton injorancën e tij për të adresuar si duhet një ligj në pajtim më parimet normative kushtetuese në vend? Apo ishte një tendencë e qëllimshme vetëm që ta ushqejë edhe më shumë opinionin publik me pretendimin se si janë peng për ta jetësuar agjendën e tyre për drejtësi.

Ka mundësi që të dy këto opsione të jenë reale. Mirëpo, këtu nuk duhet harruar faktin se nuk është hera e parë që gjatë këtij mandati ky pushtet ka rënë në kundërshtim me kushtetutën. Prandaj edhe ky rast, sikur se ata paraprak mund te jenë edhe shprehje e doktrinës politike të kësaj shumice parlamentare. Nuk thuhet më kot “më trego si mendon të tregoj si qeveris”. Dhe është pikërisht mënyra e menduarit politik anti-kushtetues që i ka kushtëzuar anomalitë juridike dhe politike të kësaj shumice parlamentare. Se ky rast është shprehje e drejtpërdrejtë kësaj tendence të fundit mjafton të kujtohet mbështetja e pa rezervë që Lidhja Demokratike e Kosovës i dha këtij Ligji. Po as kjo nuk është e rastësishme, sepse një pjesë e sotme e lidershipit politik të kësaj partie janë produkt i të njëjtës frymë populiste të pushtetit aktual. Ata janë kataplautuar në krye të partisë me premtimin e madh për ta rikthyer pushtetin e vjedhur financiar, politik e demokratik në duart e popullit. Madje, në jo pak raste në aleancë të hapur apo të fshehur me pushtetin i kanë braktisur parimet republikane për të mbrojtur të parin, sikur se me refuzimin për t’i dhënë nënshkrimet për ta adresuar para Gjykatës Kushtetuese mosveprimin e Presidentes në mos emërimin e Kryeprokurorit të shtetit.

Në këtë kontekst, asgjë nuk i kundërvihet më shumë kësaj mendësie se sa traditat e mendimit politik kushtetues, me përfaqësuesin kryesor të kësaj shkolle, juristin e njohur austriak, Hans Kelsen-in, rolin dhe rëndësinë e të cilit në një debat mbrëmë e elaboroi shkurtazi vetë përfaqësuesi ligjor i kësaj lënde, avokati Faton Fetahu. Nuk ka dyshim se kjo fitore juridike, është rezultat i punës së tij profesionale. Dhe se me parashtrimin e kësaj lënde ai ndër të tjera ia ndali tendencën e pushtetit aktual për ta legalizuar korrupsionin e “vogël” kundër korrupsionit të “madh”. Ngase njëri nga nenet e këtij ligji parashihte hetimin vetëm të atyre pasuria e të cilëve kap shifrën mbi 25 mijë euro. Por mbi çfarë baze dikush mund të ketë imunitet nëse i ka keqpërdorur 24.999 euro dhe të përndiqet ai me 25 mijë. Janë këto vetëm disa nga anomalitë e këtij Ligji.

Mirëpo, përtej këtyre detajeve, ajo që ra në sy ishte hezitimi i avokatit për të dhënë një vlerësim politik se si duhet të adresohet tash e tutje ky rast, dhe atë sidomos sulmet e pushtetit ndaj Gjykatës Kushtetuese. Mbase, tash kjo betejë nuk është puna e tij. Por nuk është befasi, ashtu sikur ka ndodhur në disa lëndë tjera, që partia në pushtet humbjet juridike i ka konvertuar në fitore politike, kurse opozita fitoret juridike i ka shndërruar në humbje politike. /TV Arbëria

Powered by WordPress