Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Analisti politik pas takimit në Bruksel: Bisedimet Kosovë Serbi nuk do të kenë rezultate përderisa janë në krye Borrell e Lajçak

Analisti politik pas takimit në Bruksel: Bisedimet Kosovë Serbi nuk do të kenë rezultate përderisa janë në krye Borrell e Lajçak

Sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq kanë qëndruar në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë Serbi, shkruan TV Arbëria.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell kishte paralajmëruar fillimisht se do të zhvilloheshin takime veçmas me liderët, atë të Kosovës dhe Serbisë, më pastaj do të zhvillohej takimi trepalësh.

Por sot pas takimeve të ndara me dy palët, nuk ndodhi dhe takimi trepalësh, kjo sepse siç u deklarua nga përfaqësuesi i BE-së, Borrell, Kosova nuk ishte e gatshme për këtë takim.

Kurti pas takimit tregoi dhe tri kushtet që i ka shpalosur në Bruksel, e që janë nënshkrimi i marrëveshjes Bazë tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe kërkesa e tretë dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Rreth këtij takimi për TV Arbëria ka folur analisti politik Fidan Ukaj, i cili thotë se po të takoheshin Kurti dhe Vuçiq tema e dialogut do të ishte themelimi i Asociacionit me shumicë serbe.

“Unë në fakt e kam parashikuar një përfundim të tillë pa rezultatë e me akuza të ndërsjellta me theks të veçant nga ana e Serbisë e cila akuzojë Kosovën se nuk ishte e gatshme me u taku me Vuçiq edhe pse sipas tij ai paska qenë i gatshëm, e po të takoheshin kërkesa e Serbisë do ishte e njejtë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe akuzat në drejtim të Kosovës se nuk po e themelon Asociacionin”, deklaroi analisti.

Analisti tutje potencoi se kërkesat e kryeministrit Kurti të shpalosura sot në takim me përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak janë të drejta veçanërisht kërkesa për Milan Radoiçiq.

“Mendoj se kërkesat e kryeministrit Kurti ishin të drejta sidomos ajo për dorëzimin e kriminelit Radojqiq para organeve të Kosovës”, tha Ukaj.

Gjithashtu sipas analistit dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë rezultate përderisa udhëhiqen nga përfaqësuesit Borrell dhe Lajçak.

“Mendoj se nuk do të ketë rezultate në bisedime Kosovë Serbi, sa të jenë në krye të dialogut Borell e Lajqak”, potencoi Fidan Ukaj për TV Arbëria.

Powered by WordPress