Stella Assange, gruaja e Julian Assange ka folur pas lirimit të bashkëshortit të saj. Ajo i falënderoi të gjithë ata që ndihmuan dhe mbështetën fushatën për lirimin e themeluesit të WikiLeaks.
“Dua të falënderoj kryeministrin Albanese, zyrtarët që kanë punuar për të siguruar lirimin e Julian”, tha fillimisht ajo.
“Do të doja të falënderoja gjithashtu popullin australian që e bëri të mundur këtë, sepse pa mbështetjen e tyre, nuk do ta kishte hapësirën politike për ta arritur lirinë e Julianit. Dhe kjo mbështetje është e gjithanshme. Falenderoj opozitën që gjithashtu mbështeti lirimin e Julianit. U deshën të gjithë, të gjithë… U deshën miliona njerëz. U deshën njerëzit që punonin në prapaskenë, njerëzit që protestonin në rrugë për ditë e javë, muaj e vite. Dhe ia arritëm”, tha Stella Assange.
Ajo tha se familja e saj tash ka nevojë për hapësirë dhe privatësi.
“Juliani donte që t’iu falënderoja sinqerisht të gjithëve. Ai donte të ishte këtu. Por ju duhet ta kuptoni se çfarë ka kaluar. Ai ka nevojë për kohë. Ai duhet të shërohet. Dhe ky është një proces. Unë ju kërkoj – ju lutem – të na jepni hapësirë, të na jepni privatësi”, tha Stella Assange.
Ajo përsëriti kërkesën për privatësi përpara se Julian Assange “të mund të flasë përsëri në një kohë që ai do ta zgjedhë”.
Stella Assange tha se rasti i Assange ishte sulm ndaj gazetarisë dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.