Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ushtria izraelite pranon se palestinezi që u lidh për xhipi të ushtrisë nuk përbënte rrezik

Ushtria izraelite pranon se palestinezi që u lidh për xhipi të ushtrisë nuk përbënte rrezik

Kur Mujahid Abadi doli jashtë për të parë nëse forcat izraelite kishin hyrë në lagjen e dajës së tij, ai u qëllua me armë në krah dhe në këmbë. Ky ishte vetëm fillimi i sprovës për të. Disa orë më vonë, i rrahur e i gjakosur, ai e pa veten të lidhur në pjesën e përparme të një xhipi ushtarak izraelit që po lëshohej një rruge.

Ushtria izraelite fillimisht kishte thënë se Abadi ishte militant i dyshimtë, por më vonë pranoi se ai nuk kishte paraqitur rrezik ndaj forcave izraelite dhe ishte kapur nga zjarri që po shkëmbehej me militantët, raporton agjencia “Associated Press”.

Videoja ku 24-vjeçari shihej i lidhur për automjeti qarkulloi në rrjete sociale, duke nxitur dënim të gjerë, përfshirë edhe reagimin e Shteteve të Bashkuara. Shumë njerëz thanë se kjo pamje tregonte që ushtarët izraelitë po e përdornin palestinezin si mburojë njerëzore – akuzë që Izraeli shpesh e ka përdorur kundër Hamasit gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite tha se po e hetonte incidentin dhe se ky rast nuk i pasqyron vlerat e saj. Megjithatë, palestinezët e panë rastin e të riut si një akt tjetër të brutalitetit gjatë shtypjes nga Izraeli në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku dhuna është shtuar që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, që e nxiti luftën në Gaza.

Abadi, duke folur me agjencinë “Associated Press” nga një shtrat i spitalit të martën, dhe se ai kishte dalë të shtunën nga shtëpia e dajës së tij në qytetin me situatë të paqëndrueshme në Bregun Perëndimor, Jenin, pasi kishte dëgjuar një rrëmujë.

“Dola jashtë për të parë se çfarë po ndodhte dhe shikova drejt shtëpive të lagjes, ku e pashë ushtrinë. Kur u mundova që të kthehesha në shtëpi, zjarr armësh i rëndë e pa dallim m’u drejtua mua. U godit edhe kushëriri im, që ndodhej afër meje” – tha Abadi.

Pasi ishte qëlluar në krah, u fsheh pas veturës së familjes. Pastaj u qëllua përsëri, në këmbë. Pa pasur mundësi që të lëvizte, ai e thirri babanë dhe i tha se do të vdiste.

“I thashë që të mundohej të mos e humbte vetëdijen dhe të vazhdonte që të fliste me mua. Papritmas, telefonata u shkëput” – tha babai i tij, Raed Abadi.

Më vonë, prindi pa raportime të rreme në rrjete sociale se një palestinez ishte vrarë gjatë bastisjes. “Kolapsova, sepse isha 90 për qind i sigurt se bëhej fjalë për djalin tim” – shtoi ai.

Abadi nuk kishte vdekur, por vuajtjet e tij porsa kishin nisur.

Pas disa orëve, ushtarët izraelitë e gjetën. Ai thotë se ushtarët e goditën në kokë e fytyrë si dhe në vendet ku ishte plagosur. Pastaj e tërhoqën zvarrë nga këmbët, e ngritën për duarsh e këmbësh dhe e hodhën në pjesën e përparme të xhipit ushtarak.

“Bërtita për shkak të nxehtësisë [së veturës]. Pastaj, njëri nga ushtarët filloi të më shante dhe më tha që të heshtja” – rrëfen i riu palestinez.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj e kishin lidhur Abadin për xhipi për ta dërguar te ekipet emergjente.

Megjithatë, Nebal Farsakh, zëdhënës i shërbimit për shpëtim të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, tha se ushtria izraelite e kishte rrethuar zonën dhe ua kishte parandaluar ekipeve shkuarjen te të plagosurit për të paktën një orë.

Në pamje të kamerës së vendosur në veturë, që i ka siguruar agjencia “Associated Press”, xhipi në të cilin ishte i lidhur Abadi lëviz pranë të paktën dy autoambulancave. Abadi tha se ishte mbajtur i lidhur për automjeti për rreth gjysmë ore para se ushtarët ta zgjidhnin dhe ta dorëzonin te një ekip i urgjencës mjekësore.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se videoja ishte “shokuese”. “Civilët kurrë nuk duhet të përdoren si mburoja njerëzore. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit duhet që shpejt të hetojnë se çfarë ndodhi dhe të mbajnë njerëz përgjegjës” – shtoi ai.