Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit të saj, Peter Stano, tha dje tha se Kosova ende s’e ka ndarë me BE-në raportin përfundimtar për hetimet e Banjskës. Por nga Qeveria e Kosovës reaguan duke deklaruar se raportin 48 faqësh për Banjskën e kanë dërguar vitin e kaluar.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri këtë deklaratë e bëri duke u përgjigjur në pyetjet se pse ka masa ndaj Kosovës nga ana e BE-së, e jo edhe ndaj Serbisë, pavarësisht sulmit terrorist në Banjskë shtatorin e kaluar.
Stano ka thënë se BE-ja është në pritje të rezultateve të hetimeve për këtë incident, për të parë se çfarë qëndrimi të marrë. Dhe raportin për hetime, sipas tij, duhet ta bëjnë autoritetet relevante të Kosovës pasi ngjarja ka ndodhur në territorin e Kosovës.
“Menjëherë pas sulmit, në ditët, javët dhe muajt që pasuan, ne e bëmë të qartë qëndrimin tonë se çka presim si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia kur është fjala edhe për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e mundshme për këtë sulm të tmerrshëm. Nuk po flas këtu për Serbinë si shtet, por për palën serbe. E gjithë kjo do të duhej të jetë pjesë e hetimit, gjetjet e së cilit shpresojmë se do të përfshihen në raportin përfundimtar të hetimit, i cili ende nuk ka përfunduar, ose të paktën nuk është ndarë me ne deri në këtë fazë”, ka thënë Stano të martën në një konferencë për media.
I menjëhershëm ishte reagimi i Qeverisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net tha se si qeveri, kanë përpiluar një raport 48 faqësh në lidhje me sulmin terrorist të cilin ia kanë dërguar BE-së dhe shteteve anëtare qysh vitin e kaluar.
Ai theksoi se nëse Stano e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, sipas Kryeziut, duhet të kërkohet përgjigje nga vetë ai institucion i drejtësisë.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë. Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion”.
Kryeziu tha se për Qeverinë e Kosovës është shqetësuese që edhe pas kaq muajsh, s’është ngritur ende aktakuzë ndaj Milan Radoçiqit, si dhe fakti që s’janë vendosur masa nga Bashkimi Evropian për Serbinë.
“Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, tha Kryeziu për Reporteri.net.
Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami tha se Kosova ka dërguar jo një, po disa raporte për sulmin terrorist në Banjskë.
Më 24 shtator, ditën e sulmit, Bajrami thotë se janë dërguar informacione urgjente për sulm terrorist. Dokumenti kishte dy faqe.
Dy ditë më vonë, më 26 shtator, sipas tij, është dërguar dokumenti prej 12 faqesh me informacion fillestar.
Më 28 shtator ambasadori kosovar pohon se është dërguar dokumenti 10 faqor me informacione faktike, teksa më 9 tetor është dërguar kopje fizike e gjetjeve preliminare, dokument ky prej 46 faqesh, që i është dorëzuar delegacionit të EEAS-it.
Më 18 tetor, Bajrami thotë se gjetjet u janë dërguar të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s.
“Më 20 tetor, raporti preliminar (51 faqe) iu dërgua BE-së, NATO-s dhe të gjitha shteteve të tyre anëtare. Gjatë dhjetorit 2023 dhe gjatë periudhës janar-shkurt 2024, u ndanë versionet e përditësuara të raportit. Informacionet e përfshira në këto dokumente janë faktike, të vërtetuara dhe bindëse përtej dyshimit të arsyeshëm” shkroi ai.
Por, çfarë përmbante raporti i Qeverisë për sulmin terrorist në Banjskë
Në nëntor të vitit të kaluar, Gazeta online Reporteri.net pati publikuar raportin preliminar, të përpiluar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Ky raport preliminar, më 20 tetor të vitit të kaluar i ishte dërguar shteteve të BE-së dhe NATO-s.
Në raport ofroheshin dëshmi të qarta të mbështetjes dhe koordinimit të Serbisë për aktin e agresionit ndaj shtetit të Kosovës më 24 shtator. Në raport tregohej me dëshmi plani i detajuar për pushtimin e katër komunave me shumicë serbe, pozicionimi në 43 pika strategjike, në udhëkryqe, kodra e ura. Fillimisht ishte planifikuar të merrej nën kontroll Leposaviqi, e më pas komunat tjera.
Raporti ka konstatuar se deri në nivelet më të larta të shtetit serb janë të përfshirë në këtë akt. Sipas raportit, Serbia mbështeti dhe ndihmoi këtë sulm terrorist.
Në përbërje të grupit paraushtarak që kreu sulmin në Banjskë ishin 80 paraushtarakë të armatosur, konstatonte raporti.
“Grumbulli i dokumenteve dhe sasia e armatimit të konfiskuar në vendin e ngjarjes, dëshmojnë se ky sulm ishte bërë për të të nxitur një grusht shteti më të gjerë të dhunshëm kundër Republikës së Kosovës dhe të shërbejë si pretekst për një ndërhyrje ushtarake të ushtrisë serbe, e cila ka qenë në gatishmëri të lartë dhe e grumbulluar pranë kufirit me Kosovën për një kohë të gjatë”, konstatohej në raportin që e kishte siguruar gazeta online Reoporteri.net.
Në raport përmendeshin edhe lidhjet e ngushta të Vuçiqit me Radiçiqiqin dhe dy organizatat që Kosova i shpalli terroriste “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” të cilat gjatë një periudhe dyvjeçare, në dhjetëra stërvitje të ndryshme, bashkë me pjesëtarët e grupit paraushtarak kryen stërvitje për për t’u përgatitur për të sulmuar Kosovën.
Në raport theksohej po ashtu se edhe njësia speciale ushtarake “Kobra” ishte e përshirë në stërvitjet në të cilat përgatiteshin sulme ndaj Kosovës.
Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest