Një banesë dykatëshe është djegur mëngjesin e kësaj të mërkure në Shkodër.
ABC News ka siguruar prononcimin e Luçije Kolës, zonjës së shtëpisë së djegur, e cila shprehet se shkak i zjarri nuk ka qenë shpërthimi i bombolës. Ajo akuzon komshiun e saj, duke u shprehur se “Zjarri nuk ka ardhur si pasojë e bombolës, e kemi prej një skizofreni i cili punon gjithë natën duke salduar’.
“Kemi një komshi këtu, do ketë plasur ndonjë oksigjen. Andej e ka bërë ndonjë masë korrenti. Nuk ka bërë asnjë zhurmë. Nuk ka plasur bombola, absolutisht jo. Ky (komshiu) na ka djegur shtëpinë. Çdo gjë është djegur. S’kemi ku të shkojmë. Kur ka rënë zjarri ka qenë burri në banesë. Kjo nuk është prej bombolës. E kemi prej një skizofreni që punon gjithë natën duke salduar. Është djegur çdo gjë, me lavatriçe, divane, rroba, çdo gjë”, u shpreh Kola.
Si pasojë janë përfshirë nga zjarri edhe tri banesa të tjera ngjitur me të, dhe një tjetër e pabanuar.
Zjarrfikësit, së bashku me Policinë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.