Arsenali i ka lënë tifozët e befasuar me çmimin e lartë që po raportohet se i ka vënë njërit prej lojtarëve rezervistë të klubit.
Gjatë sezonit 2023/2024, “Topçinjtë” sërish luftuan për të fituar titullin e Ligës Premier, por dështuan ta bëjnë këtë pasi Manchester City i Pep Guardiolës e fitoi trofeun për herë të katërt radhazi.
Teksa po i afrohemi hapjes së afatit kalimtar veror, është raportuar se Arsenali po synon të rrisë fondet me shitjen e njërit prej lojtarëve të tyre.
Sipas Football Insider, Arsenali po shikon mundësinë e shitjes së Eddie Nketiah për shumën e 50 milionë eurove këtë verë.
“Arsenali e vlerëson Eddie Nketiah rreth 50 milionë euro dhe kjo është shuma që duhet të paguajnë ekipet e interesuara për të”, ka thënë gazeteri Connor Humm.
Ky raportim shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale teksa tifozët e Arsenalit nuk mund ta besonin këtë vendim të klubit të tyre të preferuar.
“Nuk e shohë dikë duke e paguar atë shumë, pavarësisht se do doja të ndodhë”, ka thënë një tifoz në platformën X.
“Askush nuk do ta paguajë këtë shumë, përse jemi kaq të dobët në shitjen e lojtarëve”, ka thënë një tifoz tjetër.
Në total Nketiah ka bërë 37 paraqitje në të gjitha garat për Arsenalin gjatë sezonit 2023/2024, duke shënuar gjashtë gola dhe duke asistuar në tre të tjerë.