Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > PDK: Nëse Ligji për Zyrtarët Publikë dhe për KPK’në votohen në versionet aktuale, do t’i drejtohemi Kushtetueses

PDK: Nëse Ligji për Zyrtarët Publikë dhe për KPK’në votohen në versionet aktuale, do t’i drejtohemi Kushtetueses

Përparim Gruda në një konferencë për media ka folur për nismat “jokushtetuese” të Qeverisë për miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë dhe projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK’në.

“Këto dy nisma që kanë kaluar në lexim të parë dhe shumica parlamentare synon t’i kalojë edhe në lexim të dytë në seancën vijuese, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses për ligjet përkatëse”, tha ai.

Ai tha se Ligji për Zyrtarë Publikë ka shkuar në kuvend dhe është miratuar në lexim të parë “pa pasur asnjë ditë konsultim publik”.

“Me këtë ligj shkelet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit për Kosovën, sepse neni 120 i saj kërkon bashkëpunim me Bashkimin Evropian në fushën e reformave në administratën publike. Vlen të theksohet që edhe Zyra e BE-së në Kosovë e ka kundërshtuar këtë ligj. Neni 19 i Kushtetutës përcakton qartë se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. Prandaj, Ligji për Zyrtarë Publikë nuk mund të jetë në kundërshtim me MSA-në sepse kështu ai është në kundërshtim edhe me Kushtetutën”, tha Gruda.

Ai tha se edhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial është jokushtetues.

“Kjo po bëhet me tendencë për ndikim politik mbi organin e akuzës, sepse përbërja e tij është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si sa i përket përfshirjes së politikës në KPK ashtu edhe përfshirjes së një anëtari nga Avokati i Popullit”, tha Gruda.

Në fund, Gruda i ka bërë ftesë Qeverisë që “t’i ndalë shkeljet e kushtetutës”.

“I bëj ftesë që të ndalë veprimet jokushtetuese, shkeljet e kushtetutës, shkeljen e aktgjykimeve të kushtetutës, sepse kjo është një situatë e paprecedentë sepse kjo është një qeveri jo që e shkel por kur konfirmohjet shkelja nga kushtetuesja e përsërit atë shkelje”, tha ai.

Gruda shtoi se nëse kalojnë këto dy projektligje në kuvend, PDK do t’i drejtohet Kushtetueses.

“Dhe poashtu njoftojmë gjithë opinionin publik se në qoftë se këto ligje, në versionin siç janë, kalojnë në kuvendin e Kosovës, PDK, sic ka bërë edhe herave tjera, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të vlerësuar kushtetueshmërinë së këtyre ligjeve”, tha ai.

Powered by WordPress