Përmes një shkrimi së fundmi, analisti Afrim Kasolli ka komentuar kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe disa deklarata të tjera që lidhen me ish-presidentin, Ibrahim Rugova, shkruan TV Arbëria.
Kasolli ka komentuar konferencën e fundit të organizuar nga Lumir Abdixhiku ku ishte i ftuar dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtij të fundit Kasolli i kujton deklaratën e fundit për dr. Ibrahim Rugova dhe deklaratën e tij në vitin 2013, e që sipas Kasollit të dy deklaratat nuk përkojnë me njëra tjetrën.
“Kohët e fundit kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është dalluar me organizmin e disa konferencave apo ngjarjeve të këtij karakteri, me të ftuar në masë të madhe me personalitete ndërkombëtare. Në këto evente po dominojnë kryesisht tema të karakterit historik dhe që kanë për motiv rilegjitimimin e meritave për ish-presidentin Rugova. Mirëpo, asnjë ngjarje, sado që të jetë e largët dhe historike, nuk është pa implikime politike për të tashmen dhe të ardhmen. Dhe atë veçanërisht kur është fjala për raportin elektoral të LDK-së me themeluesin e këtij subjekti politik.
Kështu, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, nën patronatin e tij u organizua konferenca “Rugova dhe Perëndimi”, me të ftuar të ndryshëm, në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri i Italisë, gjatë bombardimeve të NATO-së, Massimo D’Alema dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ftesa e këtij të fundit nuk u pritë mirë të një pjesë e politikanëve veteranë të kësaj partie.
Mirëpo, në fjalën e tij për figurën e ish-presidentit Rugova, i pari i Qeverisë shqiptare deklaroi, se “ai e ka shënuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme. Rugova, ishte akti themelues i Kosovës të lirë të pavarur dhe demokratike…. Pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme që jeta krijon dhe lë pas: personalitetin. Pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës sepse pa luftën që e filloi me paqe s’do të ishte arritur kurrë paqja e fituar në luftë”. Megjithëse ishte i njëjti lider që në fjalimin e parë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës në vitin 2013, nuk e kishte përmendur fare emrin e ish presidentit. Mbase ajo ishte kohë tjetër. Në ato vite në krye të Qeverisë së Kosovës ishte miku i tij Hashim Thaçi, dhe në këtë mënyrë Edi Rama qe përkujdesur që krejt meritat historike për çlirimin e Kosovës t’ia atribuonte atyre që kishin qenë të lidhur drejtpërdrejt me luftën e armatosur”, ka shkruar Kasolli.
Analisti tutje në shkrimin e tij thotë se pas kësaj nuk shkoi gjithçka siç ishte “planifikuar”, ku e sjell deklaratën e ish-kryeministrit të Italisë, Massimo D’Alema, i cili pohoi se shqetësimi i diplomatëve perëndimorë në atë kohë ishte se “Rugova do të dilte kundër bombardimeve të NATO-së”, e që pas kësaj analisti e sjell edhe një deklaratë tjetër të , Ëesly Clark i cili thotë diçka të kundër me atë që kishte thënë ish-kryeministri i Italisë për Ibrahim Rugovën.
“Sidoqoftë, në këtë konferencë nuk shkoi çdo gjë ashtu siç ishte “planifikuar” për shkak të një deklarate të ish-kryeministrit të Italisë, Massimo D’Alema, i cili pohoi se shqetësimi i diplomatëve perëndimorë në atë kohë ishte se “Rugova do të dilte kundër bombardimeve të NATO-së”.
Mirëpo, pa kaluar asnjë muaji nga ky konstatim i “çuditshëm” i politikanit veteran italian, ky “imazh i lënduar” për ish-liderin e LDK-së, u restaurua nëpërmjet gjeneralit amerikan në pension, Ëesly Clark, i cili edhe kishte drejtuar fushatën e bombardimeve të NATO-së, kundër caqeve ushtruake dhe paramilitare të ish-federatës Jugosllave.
Me rastin e nderimit me dekoratën “Ibrahim Rugova”, gjatë fjalës së rastit ai pohoi se “se arsyeja se pse NATO- kishte pasur sukses në Kosovë, por jo në Libi, Afganistan dhe Irak, ka të bëjë me faktin se në Kosovë ky sukses quhet LDK”. Një pohim i tillë pa dyshim se u mirëprit nga zyrtarët e këtij subjekti politik. Kryetari i saj e shpërndau në rrjetin e tij social si konfirmim më në fund i “drejtësisë historike””, shkruan Kasolli, transmeton TV Arbëria.
Analisti thekson se tema e asyes se përse intervenimi i NATO-së ka pasur sukses në Kosovë dhe jo në vendet e tjera është një debat i gjerë historikë dhe thekson se nuk mund të mohohet se rasti i Kosovës ka qenë i veçant.
“Gjithsesi, arsyet se pse intervenimi i NATO-së ka pasur sukses në Kosovë dhe jo në vende tjera, është një debat i gjerë historik, politik dhe akademik. Dhe jam i bindur se gjenerali Clark i njeh në detaje këto hollësi.
Por, një gjë nuk mund të mohet, ai ka të bëjë me natyrën krejtësisht të veçantë të rastit të Kosovës në dallim me shtetet e sipër cekura. Se ky intervenim ishte sui generis, sot e mbron edhe Perëndimi kundër pretendimeve të presidentit rus Vladimir Putin në Gjeorgji dhe Ukrainë”, shkruan Afrim Kasolli. /TV Arbëria