Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka shkruar për qëndrimin e tij në Drenas, vend i cili sipas Begajt është një histori krenarie, guximi dhe patriotizmi.
Begaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se kontributi i trimave të Drenasit për çlirimin e Kosovës është i pashlyeshëm.
“Në Drenas, komunën në zemër të Kosovës. Historia e Drenasit është një histori krenarie, guximi dhe patriotizmi. Kontributi i trimave të saj për çlirimin e Kosovës është i pashlyeshëm. Ne, si shqiptarë kemi treguar se të bashkuar dhe me vendosmëri, mund të përballojmë çdo sfidë dhe të dalim fitimtarë”, ka shkruar ai në Facebook.
Gjatë ditës, Begaj është shpallur zyrtarisht “Qytetar Nderi” i Drenasit, titull të cilin e pranoi nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.